Pasuria e Presidentit të zgjedhur, Donald Trump, ka qenë padyshim një nga temat më të diskutuara gjate dhe pas fushatës zgjedhore, por tashmë “një e vërtetë e madhe” ka dalë në dritë nga prestigjiozja amerikane “Wall Street Journal” që ka cituar burime nga bursat Wall Street-it. Kompanitë e Donald Trump kanë më shumë se 1.8 miliard dollarë borxh ndaj 150 institucioneve, shkruan gazeta. Ajo shkon edhe më tej, duke argumentuar se Trump do ta shfrytëzojë postin e presidentit për të ndihmuar institucionet, të cilave i detyrohet para. Më parë, Donald Trump ka deklaruar 315 milionë dollarë borxh ndaj 10 huadhënësve të ndryshëm, por studimi i realizuar nga gazeta zbuloi se presidenti i detyrohet 1.5 miliard dollarë kompanive në të cilat është aksionar edhe ai vetë, ndërsa pjesën tjetër, kompanive të tjera. Këshilltari ligjor i George Bush-it dhe John McCain, Trevor Potter ka deklaruar se gjatë qeverisjes së tij, i vënë nën presionin e kompanive huadhënëse, Trump do të detyrohet të veprojë në favor të tyre, edhe nëse kjo nuk do të ishte zgjidhja e duhur.