Evis HALILI
Shkup, 18 janar – Përgatitjet për Karnavalet e Bozovcës kanë nisur dhe ajo që i bën të veçanta këtë vit janë prurjet e reja që do t’i bëjnë ndryshe nga më parë, shkruan gazeta KOHA. Edhe pse kanë pasur kritika, organizatorët kanë vendosur që të fusin elementin femëror në to. Një ndryshim i formës tradicionale të organizimit, kur meshkujt imitojnë gratë, vishen e stolisen si to, por që këtë herë trashëgimia e veshjeve karakteristike të grave dhe nuseve të kësaj zone do të prezantohet nga vetë ato dhe jo nga burra të maskuar. Tre nuset janë ato që do të “thyejnë” rregullat, duke u bërë pjesë e performancave të karnavaleve që zhvillohen më 12 mars. Edhe gjatë organizimeve të mëparshme roli i gruas ka qenë gjithnjë brenda shtëpisë. Ato janë marrë kryesisht me përgatitjen e ushqimeve që shërbehen atë ditë për të ftuarit, por edhe për të gjithë fshatin. Ky është viti i nëntë i karnavaleve, të cilat filluan të organizohen pas një periudhe të gjatë ndërprerje 1981-2009. Mbështetje financiare që marrin është e vogël, rreth 2 mijë euro, duke minimizuar të gjitha mundësitë për një organizimin sa më të mirë. Neshat Mehmedi, një prej organizatorëve kryesor, thotë për KOHA se pretendimet e tyre janë shumë larg asaj që prezantohet për opinionin. “Ne mundohemi të bëjmë më të mirën, por kur vjen puna tek organizimi mundësitë tona për të bërë diçka më shumë janë të vogla. Jemi të kufizuar si për numrin e të ftuarve dhe në fakt interesimi i studiuesve nga jashtë vendit është i madh, por nuk kemi sesi t’i mbulojmë shpenzimet. Madje në shumë raste jemi të detyruar të improvizojmë, pasi mundësitë tona financiare aq na lejojnë. Kështu edhe kali i drurit nuk e bëjmë ashtu siç e kanë bërë të parët tanë, por e kemi thjeshtëzuar në një model me kosto të vogël. Risia e këtij viti do të jenë tre gra që do të vishen si nuset e kësaj zone. Edhe pse kemi pasur kritika ne vendosëm që ta bëjmë ndryshe, duke e bërë edhe gjininë femërore pjesë të këtij manifestimi”, thotë Mehmedi. Karnavalet janë një formë tradicionale e festimit tek shqiptarët kalimin nga një stinë në tjetrën, dhe e veçanta e karnavaleve ilire të Sharrit është mënyra origjinale e organizimit që nuk ka kurrfarë ndikimi apo ngjashmërie me karnavalet që zhvillohen në trevat e tjera shqiptare. Zaim Murtezani, punonjës shkencor në Institutin e Folklorit thotë se karnavalet e kësaj zone janë një tregues i vlerave autentike shqiptare dhe konsiderohen si më të vjetrat në Ballkan. Karakteristike për këtë manifestim janë maskat zoomorfe të cilat paraqesin një ndërlidhje midis të gjallëve dhe të vdekurve, me një periudhë që shënon pikëtakimin mes kaosit dhe kozmosit, shton studiuesi. “Janë të rëndësishme dhe si të tilla duhet t’i trajtojmë, i takojnë një periudhe të lashtë të zhvillimit historik të shqiptarëve dhe ky karnaval mund të zhvillohet edhe me një përmbajtje më të pasur, në mënyrë që të jetë mes të tjerash edhe një atraksion turistik”, thotë Murtezani. Karnavalet nisin me disa pika artistike të interpretuara nga meshkuj të veshur me rroba të endura me lesh, të kombinuara me lëkurë dhe gëzofë kafshësh, brirë, e të tjera. Tematika e këngëve dhe valleve lidhet me përditshmërinë dhe pjesën e traditës së zonës së Malësisë së Sharrit, lindjet, vdekjet, mërgimin, dasmat e të tjera. Ritet nuk kanë karakter fetar, por janë kryekëput pagane dhe sipas organizatorëve bëhen në të njëjtën formë ashtu si dikur bëheshin nga ilirët.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.