Një trashëgimi shumë më e çmuar nga sa e kishte menduar, një shtëpi dhe shumë më shumë brenda. Ndodh në Normandi, në perëndim të Francës ku trashëgimtari i një shtëpie zbuloi brenda saj 100 kilogramë flori, me vlerë 3.5 milionë euro, të cilat ishin fshehur në pjesë të ndryshme të shtëpisë. Ai gjeti flori nën mobilie, në tualet, madje edhe poshtë peshqirëve si dhe në ambalazhin e një shishe uiski. Lajmi u bë publik për mediat vendase nga Nicolas Fierfort, drejtues i shtëpisë së ankandeve “Évreux”. Zbulimi nga trashëgimtari u bë në momentin që u transferua në shtëpi, ku u gjetën plot 5 000 monedha ari, dy pllaka 12 kilogramëshe dhe 37 lingota një kilogramësh. Mësohet se floriri ishte blerë ligjërisht mes viteve 1950 dhe 1960 dhe ishte i shoqëruar me certifikatat që provonin autenticitetin e tij. Por në bazë të ligjit për taksimin e pasurisë, shteti francez mund të përfitojë deri në 45% të floririt, duke pasuruar kështu jo vetëm trashëgimtarin.