Evis HALILI
Shkup, 2 shkurt – Valorizimi i të kënduarit me dy zëra, rikonstruktimi i shtëpisë së Halim Beut në Tetovë, ekspedita arkeologjike në Bervenicë, manifestimi “Pehlivanët” në Studeniçan…, janë disa prej projekteve shqiptare që do të jenë pjesë e Programit të Ministrisë së Kulturës në sferën e Trashëgimisë kulturore materiale dhe jomateriale për këtë vit, shkruan gazeta KOHA. Për dallim nga veprimtaritë e tjera, veçanërisht ku numri i projekteve konkurruese është i madh – kjo sferë ka një numër të vogël projektesh, si nga institucionet që gjenden në vendbanime shqiptare, ashtu edhe nga shoqatat dhe individët. Instituti i Trashëgimisë ka konkurruar me dy projekte, ai për valorizimin e dyzërëshit, përkatësisht evidentimin e tij në Regjistrin nacional të trashëgimisë, si edhe një projekt tjetër – Java e trashëgimisë shpirtërore të shqiptarëve, në prizmin e valorizimit, prezantimit dhe popullarizimit të saj. Po ashtu, në nënkategorinë e kësaj veprimtarie, ITSHKSH do të realizojë edhe dy projekte të tjera që lidhjen me veshjet tradicionale të shqiptarëve në Veles dhe folklori tek shqiptarët në periudhën e ish Jugosllavisë. Një tjetër institucion nacional që këtë vit numëron disa projekte në këtë sferë është Muzeu i Alfabetit në Manastir. Për dallim nga vitet e tjera, ku projektet lidheshin me organizime tribunash dhe manifestimesh të ngjashme, këtë vit muzeu do të çelë pavionin me veshje karakteristike tradicionale, instrumente dhe materiale të tjera etnologjike, ndërsa po ashtu do ta pasurojë fondin muzeor me blerjen e Abetares së Konstantin Kristoforidhit të vitit 1872. Sa i takon shoqatave, numri i projekteve shqiptare është simbolik mes 33 asociacioneve, organizatave e të tjera. Mes tyre dallohen manifestimi për “Pehlivanët” në zonën e Karshiakës, iniciativa për hapjen e një minimuzeu i Zekirija Aliji në Tetovë, dasma në fshatin Greshnicë në Kërçovë, apo Java e kulturës shqiptare në këtë qytet. Të tjera projekte janë edhe promovimi i eksponateve në muzeun në fshatin Livadhi nëpër shkollat e Strugës, ndërsa shoqata nga Manastiri po ashtu organizon një manifestim që ia dedikon kontributit të familjes Qiriazi dhe vendimeve vizionare të Kongresit të Manastirit. Më aktive janë shoqatat maqedonase, serbe nga Shkupi, Tetova, Dibra, të cilat kanë propozuar projekte që lidhen drejtpërdrejtë me trashëgiminë jomateriale, këndimin, karakteristikat gjuhësore, ritet e të tjera. Ajo që bie në sy tek projektet e muzeve, si atij të Tetovës si dy më të rëndësishëm janë gërmimet arkeologjike në lokalitetin Tumba – Bërvenicë, katalogu me sende nga koleksioni i Mehmed Palloshut, po ashtu si edhe hulumtimet në afresket dhe botimi i broshurave për kishat e rajonit të Tetovës në shekujt XIV e deri më XIX. Në muzeun nacional të Kërçovës projekti i vetëm multietnik është ai për dallimet dhe ngjashmëritë e këngëve popullore dhe valleve tek maqedonasit, shqiptarët dhe vllahët, ndërsa një tjetër projekt që lidhet me arkeologjinë është vijimi i gërmimeve në manastirin “Shën Gjorgji” në Knezhinë. Sa i takon trashëgimisë materiale, gjatë këtij viti do të vijohet me rekonstruktimin e ndërtesave në Çarshinë e Shkupit, si edhe fasadat e objekteve dhe shtëpive karakteristike, në qytete të ndryshme, si Tetovë, Gostivar e të tjera.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.