Uashington, 20 janar – Presidenti i zgjedhur Donald Tramp, i cili sot do të japë betimin në funksion, në miting koncertin në Uashington dje deklaroi se do ta bëjë SHBA-në “më të madhe se kurdoherë” dhe se vendi do të shohë “diçka vërtetë të mahnitshme” sot, kur ai të betohet si presidenti i 45 i Shteteve të Bashkuara. Pas një koncerti dje në mbrëmje në shkallët e Monumentit të Linkolnit, Tramp tha se ka pak rëndësi në se moti do të jetë i bukur apo me shira të dendur, duke shtuar se gjithë bota po ndjek atë që po ndodh në Shtetet e Bashkuara. Disa minuta para një shfaqje me fishekzjarrë në qiellin e Uashingtonit, Tramp premtoi të punojë intensivisht për të bashkuar vendin dhe “për ta bërë Amerikën të madhe për të gjithë”. Shon Spajser, i cili do të jetë zëdhënësi i ardhshëm i Shtëpisë së Bardhë, theksoi se presidenti i zgjedhur po vazhdon t’i bëjë ndryshime fjalimit të përurimit, që do të mbajë të premten në shkallët e ndërtesës së Kongresit. “fjalimi do të jetë me tone të forta personale, ku do të shpaloset vizioni i tij për Amerikën”, tha ai. Tramp synon të theksojë “sfidat me të cilat ndeshemi”, shtoi Spajser. Ai e cilësoi fjalimin një deklaratë filozofike, se ku presidenti synon ta çojë qeverinë amerikane dhe jo si një agjendë legjislative. Duke filluar të premten pasdite dhe në ditët në vijim, tha zëdhënësi, Tramp do të nënshkruajë urdhëra ekzekutivë “për një agjendë ndryshimesh reale”. Presidenti ende po punon se në cilat fusha do të fillojë dhe në çfarë radhe, tha ai. Nënpresidenti i zgjedhur Majk Pensi tha se ata do të jenë “gati t’i shërbejnë Amerikës që ditën e parë”. Ai po ashtu falënderoi presidentin Barak Obama dhe nënpresidentin Xho Bajden për bashkëpunimin gjatë periudhës së tranzicionit. Pas emërimit të ish guvernatorit të Xhorxhias, Soni Perdju, në postin e Sekretarit të Bujqësisë, Tramp i plotësoi të 21 postet e kabinetit të tij. Zëdhënësi Spajser tha se 536 zyrtarë janë me agjencitë federale në Uashington për të përfunduar tranzicionin, kur qeveria të rifillojë punën të hënën. Spajser tha se 50 zyrtarë të administratës së presidentit Obama, që kanë punuar për tranzicionin, kanë rënë dakord të qëndrojnë në detyrë edhe me administratën e re. Nënpresidenti i zgjedhur tha se Tramp i ka planet gati për ditën e parë, për 100 ditët e para dhe për 200 ditët e para, për politikat e reja që administrata e re synon të zbatojë. Interesimi për të punuar për administratën e re është shtuar nga dita në ditë, tha Pensi, me 86 mijë persona që kanë aplikuar për vende pune. Tramp dhe Pensi, fituesit e një prej garave më të forta të zgjedhjeve presidenciale, morën pjesë në disa aktivitete në kryeqytet të enjten. Trump falënderoi disa prej anëtarëve të kabinetit gjatë një dreke në Hotelin Ndërkombëtar “Tramp”, jo larg Shtëpisë së Bardhë. Ai përmendi kalimthi se do të emërojë pronarin miliarder të ekipit të futbollit të Nju Jorkut “Xhets”, si ambasador në Britani. Më pas, i shoqëruar nga Pensi, presidenti i zgjedhur vendosi një kurorë në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit, ku prehen mbi 400 mijë veteranë të forcave të armatosura dhe familjarë të tyre. Në mbrëmje, Tramp dhe Pensi, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të administratës së re, ishin për darkë me dhurues fondesh gjatë fushatës elektorale në qendrën e trenave “Union Station” në Uashington. Tramp do të qëndrojë në ditën e fundit si qytetar privat në shtëpinë qeveritare “Bler Haus”, ku qëndrojnë udhëheqës të huaj të ftuar zyrtarisht, përballë Shtëpisë së Bardhë, në bulevardin Pensilvania.