Evis HALILI
Shkup, 6 korrik – Paragjykimet, mungesa e vetëbesimit, por edhe e programeve dhe shtetërore konsiderohen si disa prej barrierave që lënë jashtë tregut të punës femrat, sidomos ato të bashkësive joshumicë, të cilat konsiderohen si pjesa më e margjinalizuar, duke bërë kështu që Maqedonia të renditet shumë poshtë në indeksin e aktivitetit të grave, krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian, por edhe me numrin e të papunave dhe të painteresuarave për të gjetur një punë, shkruan gazeta KOHA. Sipas një projekti të realizuar nga Care International dhe Iniciativa qytetare e femrave Antiko, kur bëhet fjalë për punësim gjendja është më e vështirë sidomos në zonat rurale, ku rreth 62 për qind e tre evidentohen në kategorinë e punonjësve pa pagesë në familje. Projekti “Përfshirja e grave të bashkësive etnike joshumicë në tregun e punës”, që në prej vitit të kaluar u zhvillua në disa komuna, si Tetovë, Kumanovë, Shkup, Manastir dhe Shtip, iu dha mundësinë shumë grave që të trajnohen në profile të ndryshme, në parukeri, rrobaqepësi dhe kurse të mësimit të maqedonishtes dhe gjermanishtes. Ajo që është konstatuar gjatë kësaj periudhe është se këto gra përballen me segregim të shumëfishtë kur bëhet fjalë për çështjen e punësimit. Përveç hezitimit të punëdhënësve për të inkuadruar gratë me paragjykimin se mund të mos kenë arsimimin e duhur, të mungojnë në punë, e të tjera, gratë që vijnë nga këto bashkësi tradicionalisht janë më të orientuara drejt marrjes së rolit të amvisave. Në rrethin ku jetojnë inkurajohen qëndrimet konservative, ndërsa institucioneve shtetërore iu mungojnë kapacitetet dhe programet për të trajtuar këtë problem. Sipas Gjynere Nebiut nga Antiko, interesimi më i madh i këtyre grave ishte ndjekja e kurseve dhe trajnimeve të certifikuara, si forma më e sigurt për të qenë pjesë e tregut të punës.
“Ajo çka ishte e re në këtë projekt, përveç trajnimit, ishte se në to merrnin pjesë edhe fëmijët e tyre, pra bëmë një punë kreative, që fëmija të mos jetë pengesë. Se shpesh dëgjohej se nuk mund të ndjekim kurs për shkak se nuk kam kujt t’ia lë fëmijën. Fillimet ishin shumë të vështira, sepse gratë përherë kërkonin të pyesnin bashkëshortin ose prindërit. Pra, përmes kontaktit direkt ne lehtësuam këto barriera të gruas”, thotë Nebiu. Nga ana tjetër edhe pse janë të interesuara të hyjnë në tregun e punës, ajo që u mungon atyre është vetëbesimi. Rajoni i Pollogut është i fundit sa i takon punësimit të grave. Shkalla më e lartë e aktivitetit është në Pellagoni, ndërsa e papunësisë është në Pollog, ku mbi 35 për qind e femrave janë të papuna.
Projekti është financuar nga BE me 200 mijë euro, si edhe nga Care International dhe zgjati rreth 18 muaj. Drejtuesi i projektit, Dragan Periq, thekson se qëllimi kryesor ishte ngritja e kapacitetit për punësimin e kësaj kategorie, motivimin dhe informimin e tyre me qëllim që të jenë më aktive në kërkimin e një vendi pune.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.