E paralajmëroi kapiteni Ledian Memushaj një ditë më parë dhe në fakt ashtu ka ndodhur. Trajneri i Pescara, Massimo Oddo, fal Rey Manaj dhe e rikthen në skuadër për ndeshjen kundër Atalantës në Kupën e Italisë, që do të luhet në Bergamo, pra në transfertë. Një takim relativisht i vështirë, duke parë edhe formën e mirë që po kalon ekipi bergamask. Manaj u pezullua pak ditë më parë dhe ndaj Romës nuk udhëtoi me ekipin. Kjo për shkak të një sherri me portierin në stërvitje dhe trajneri i tha se ai nuk duhej ta cilësonte veten një yll. “Është 19 vjeç, nuk është Totti dhe as Canavarro”, – ishin fjalët e lëshuara nga Massimo Oddo, duke lënë të kuptonte se sulmuesi shqiptar rrezikonte vendin e tij me atë që kishte bërë. Por duket se situata është zbutur dhe futbollisti rezulton mes të grumbulluarve për duelin e mesjavës në Kupën e Italisë. Oddo ka shpjeguar se nuk ekzistonte asnjë “çështje Manaj” në klubin e tij, por ka dhënë një mesazh paralajmërimi për djaloshin shqiptar në konferencën e sotme për shtyp. “Rey Manaj? Cilësojeni si një lojtar të të rinjve që stërvitet me të rriturit. Ai duhet të hajë bar dhe nesër do të vijë me ne në Bergamo. Nuk ekziston asnjë çështje Manaj”, – ishin fjalët e trajnerit, duke lënë të kuptohet se futbollisti nuk duhej të kishte shumë pretendime, por duhej të ulte kokën e të punonte për të fituar një vend në formacion.