Dihet që në veçanti në ndeshjet derbi nuk mungojnë momentet pikante. Një i tillë ka ndodhur edhe në atë të Romës, me protagonist kapitenin e verdhekuqve Francesco Totti-n për një gjest ndaj mbrojtësit të Lazio-s Wallace. Pamjet tregojnë Totti-n që godet me top Wallace ndërsa videoja është shpërndarë në “Instagram” nga “Lazio Press”. Incidenti ka ndodhur gjatë ndeshjes Roma-Lazio për Kupën e Italisë, ku bardhekaltrit eliminuan verdhekuqtë dhe arritën finalen e kompeticionit. Totti, pak përpara se të hynte në fushë, ka bërë sikur do të godiste me top kundërshtarin që po përgatitej për një rivënie anësore, për ta bërë realitet pak sekonda më pas.
Gjesti i kapitenit verdhekuq ka provokuar reagimin e anësorit brazilian si dhe të tifozëve të Lazio-s që kanë shpërthyer në rrjetet sociale. Sikur të mos mjaftonte, kësaj situate i shtohet edhe mesazhi i fantazistit lacial Felipe Anderson që ka lënë komentin e tij: “Tr….”.