Zejnulla VESELI
Shkup, 6 mars – Nëse para viteve ‘90-ta për të gjetur një barnatore duhej të bëjë rrugë me kilometra, sot barnatore mund të gjesh në çdo hap. Nga ana tjetër, nëse më herët në të gjitha lagjet mund të gjeje dyqane që shisnin gjësende ushqimore, në dhjetë vitet e fundit të gjitha këto dyqane janë shndërruar në bastore. Sipas të dhënave fundit të statistikave, barnatoret dhe bastoret janë dy veprimtaritë më profitabile, duke qarkulluar kështu brenda një viti mbi gjysmë miliardë euro. Hapja e bastoreve, por edhe e kazinove të cilat përfitojnë shifra marramendëse, sipas sociologut Ali Pajaziti, tregojnë gangrenën sociale që tangon pjesën më dinamike të shoqërisë-rininë, por edhe kategoritë e tjera të moshave, duke ua prishur ritmin e jetës dhe duke i nxjerre prej binarëve njëherë materialisht dhe më pas edhe psikologjikisht, familjarisht e me gjerë. “A ka gjë ma jo tradicionale dhe më jo konvencionale se kjo? Ku është botëvështrimi për jetesën nga mundi, djersa, përpjekja, investimi? Kjo tregon se lojërat e fatit po shndërrohen në një dukuri merimangë që gjithnjë e më tepër po e përfiton rininë tonë, duke e dërrmuar atë psikologjikisht por edhe materialisht, duke i krijuar një botë utopike”, thotë Pajaziti. Bastoret dhe kazinotë, sipas sociologut, paraqesin lokale vrastare që pasivizojnë popullatën, e bëjnë ëndërrimtare, e shkëpusin nga jeta, e devijojnë sa s’bën, e shndërrojnë individin në person pa perspektive, pa ardhmëri. “Bëhet fjale pra për një kundër kulturë që gjithnjë e më tepër masovizohet, që cenon edhe hapësirat arsimore, shkollat dhe universitetet, rekruton vizitorë prej vatrave të dijës. Kjo është vija e kuqe, kur duhet të reagohet, kur duhet të këtë një mobilizim gjithë shoqëror, vetëdijesim të qytetarëve për rreziqet e shndërrimit të koincidencës në ritëm jete. Topi sillet në Madrid, i riu pret para në Gazi Babë e Veleshtë?!”, thotë profesori universitar Ali Pajaziti.
Si fenomen tjetër që viteve të fundit po bëhet përditshmëri për qytetarët është edhe konsumimi i më tepër barnave, në të shumtën e rasteve edhe pa patur rekomandim nga mjeku amë. Pas bastoreve, barnatoret janë bizneset që më shumti krijojnë përfitime nga qytetarët. Qëllimi i vetëm se pse hapen kaq shumë barnatore, sipas doktorit Sedat Lumanit, është që ata të kenë sa më shumë përfitojnë nga qytetarët, të cilët jetojnë në një varfëri të skajshme. “Arsyeja e vetme janë problemet ekonomike dhe papunësia që po ndikojnë negativisht mbi shëndetin e qytetarëve. Nuk jemi dhe aq popullatë e sëmurë sa tregojnë të dhënat statistikore, të cilat thonë se qytetarët e Maqedonisë konsumojnë më shumë ilaçe kundër depresionit. Papunësia, jeta e shtrenjtë, janë problemet me të cilat ballafaqohet çdo i dyti banor në Maqedoni. Pikërisht kjo mënyre e rëndë e jetesës paraqet dy format e sëmundjeve që po e prekin çdo qytetarë, stresi dhe depresioni”, thotë doktori Lumani Ndërkohë, ai thekson se përveç papunësisë dhe gjendjes së rëndë financiare, janë edhe shumë faktorë që ndikojnë mbi shëndetin e njeriut. “Ato fillojnë nga problemet ekonomike, pabarazia, mungesa e mundësive për të përballuar jetesën. Njerëzit e stresuar në çdo moment ilaçin e tyre e kërkojnë nëpër barnatore, duke përdorur barna për qetësim”, thotë Lumani. Në fakt, sipas tij, këto probleme për përdorimin e sa më shumë ilaçeve kundër depresionit këto 10 vitet e fundit janë kthyer në fenomen gjithnjë në rritje. “Shpjegimi për këtë është se populli jonë nuk është më ai që ishte dikur, kur kishte mbështetje financiare nga familja, shoqëria apo shteti. Prandaj, varfëria e skajshme që ka kapluar çdo të dytën familje ka ndikuar jo vetëm në pabarazi sa i përket nivelit ekonomik, por tashmë shoqëria nuk ka ku gjen askund mbështetje, as ekonomike dhe as shpirtërore. Pikërisht kjo ka bërë që viteve të fundit te kemi edhe aq shumë barnatore, të cilët i hapin vetëm për një qëllim, të kenë sa më shumë përfitime”, thotë doktori Sedat Lumani.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.