Shkup, 12 mars – Është zbuluar diabeti tek tre deri pesë për qind nga gjithsej 250.000 qytetarë të cilët janë vizituar nga ekipet mjekësore në kushte shtëpiake gjatë tre viteve të fundit përmes projektit “Vizita shtëpiake”. Pacientët e sapozbuluar me nivele të rritura të yndyrërave janë rreth dy për qind nga të vizituarit e përgjithshëm. Në disa raste, potencoi ministri i Shëndetësisë, Nikolla Todorov, janë detektuar pacientë me vlera shumë të larta të sheqerit në gjak, me ç’rast menjëherë thirret Ndihma e shpejtë mjekësore, ndërsa pacienti transportohet në spitalin më të afërt me qëllim të intervenimit me kohë. Vizitat patronazhe në kushte shtëpiake i kryejnë mbi 300 ekipe patronazhe nga të gjitha shtëpitë e shëndetit në vend, të cilat kryejnë matje të presionit të gjakut, nivelin e sheqerit dhe kolesterolit, ndërkaq njëherit japin këshilla për ushqim, për aktivitet fizik dhe këshilla të tjera. Projekti “Vizita shtëpiake” zbatohet në pajtim me rekomandimet e organizatës botërore të shëndetësisë.