Bisedoi Bujar KURTAJ
Nebi Mustafi është njëri prej futbollistëve shqiptar më modest që ka luajtur në kampionatin e Maqedonisë. Dhe pikërisht kjo ka bërë që ai të arrij suksese gjatë karrierës së tij, të fitojë shumë tituj dhe të vlerësohet edhe sot e kësaj ditë nga tifozëritë e njohura “Shvercerat” nga Shkupi dhe “Ballistët” nga Tetova, pasi ai me shokët klubeve që përkrahin Shkupin dhe Shkëndijën, tu sjell tituj. Derisa modestia e tij vazhdon edhe pasi i ka varr këpucët në gozhdë në shkurt të vitit 2014. Aktualisht siç tregon në intervistën për gazetën KOHA, plani i tij i radhës është Master në Menaxhment Sportiv jashtë vendit, pastaj synon të mbarojë marrjen e Pro Licencës dhe më pas ai do të kyçet në ujërat e trajnerit. Janë këto sfida që Nebiu nuk dyshojmë se do ti përfundojë me sukses, duke marr parasysh se ai ka kaluar nëpër shumë sfida, përfshi këtu edhe lëndimin të cilin e mbajti atë jashtë fushave për plot 13 muaj. Ai në intervistën përmend edhe periudhën e fillimit të karrierës, klubet ku ka luajtur, titujt me Slloga Jugomagnatin (tani FC Shkupi), Shkëndijën, momentet e mira dhe të këqija si dhe kafiteritë që i posedon dhe që mbajnë mbiemrin e tij Mustafi.
KOHA: Nebi, je njeri prej futbollisteve më të mirë që ndonjëherë i ka prodhuar Tetova. Çka donë të thotë kjo për ty?
MUSTAFI: Ju faleminderit për konstatimin tuaj, mirëpo unë mendoj se Tetova ka pasur dhe ka futbollistë mjaft kualitativ. Këtë e bazoj në faktin që disa emra kanë shfaqur performansa shumë të mira nëpër klubi kushtimisht të forta. Fakti që ju më numëroni në mesin e tyre, më rrit mua edhe më tepër përgjegjësinë morale ndaj kësaj shoqërie për të dhënë gjithçka nga bagazhi që posedoj, për të ndikuar në mënyrë direkt dhe indirekte në frymëzimin dhe krijimin e futbollistëve të tjerë kualitativ që do t’i rrisnin namin edhe më tepër këtij qyteti apo këtij vendi në përgjithësi. Në aspektin personal ky konstatim më josh, pasi që është mirë të jesh shembull i mirë së pari për fëmijët e mi, dhe pastaj edhe për fëmijët tjerë të këtij vendi.
KOHA: Si të tjerët, edhe ti karrierën e fillove te Shkëndija, mirëpo afirmimin më të madh e pate tek Slloga Jugomagnat (tani Shkupi)?
MUSTAFI: Fazën e definimit të karrierës sime e kalova te Shkëndija, e cila asokohe si trajner kishte Hysni Maxhunin, i cili bashkë me sekretarin e atëhershëm Irfan Xhelilin, ishin ata që më mbështetën pa masë dhe ndikuan në ngritjen time si futbollist profesionist. Ishte kjo koha kur unë luajta krahas lojtarëve mjaft kualitativ që ishin pjesë e Shkëndijës asokohe dhe kjo më rriti mua si futbollist. Normalisht se nga ana tjetër familjen e kisha gjithmonë pranë për ti mi plotësuar të gjitha nevojat e mija për tu marrë profesionalisht me futboll. Dua të cek prindin dhe xhaxhallarët, ku njëri nga ta Daut Mustafi ishte ’fajtori’ që unë fillova të merrem me futboll. Shkëndija disa vite më vonë pati krizat e veta, gjatë ndryshimeve të kryesive dhe kriza financiare dhe kjo më detyroi të mendoj në avancimin tim profesional në futboll. Destinacion i qëlluar u tregua Slloga Jugomagnati (Shkupi i sotëm). Siç e dini me këtë ekip arritëm të shpallemi Kampion të shtetit për tri vite me radhë duke filluar nga viti i parë kur unë u inkuadrova te ky klub. Këtu pata nderin të luaj krahas shumë futbollistëve kualitativ dhe personaliteteve të mëdha. Ka qenë periudha më e ndritshme në karrierën time, ku edhe fitova statusin e Reprezentuesit të shtetit. Kam luajtur 5 finale të Kupës në mos gaboj ku i kemi fituar dy nga ato.
KOHA: 87 paraqitje sa i ke pasur gjatë sezonit 1997/2004, ke shënuar 15 gola. Pos këtyre, cilat kanë qenë sukseset më të mëdha me Slloga J.
MUSTAFI: Siç e thash më lartë, me Slloga Jugomagnatin jemi shpallur tri herë kampion i Maqedonisë dhe kemi fituar dy herë trofeun e Kupës. Vitin e dytë fituam titullin e dyfishtë. Si trajner duhet të potencoj ka qenë Gjore Jovanovski, i cili ndikoi në masë të madhe në profesionalizimin e klubit. Ajo që duhet të potencohet është se krahas titujve ne, veçanërisht lojtarët më të rinj që ishim u krijuam në personalitete të larta sportive dhe shoqërore. U ngritëm shumë në aspektin psikofizik, dhe sfidat tona më ishin ndeshjet ndërkombëtare ku edhe paraqiteshim me dinjitet. Fati dhe përkushtimi im ka dashur që unë të jem titullar gjatë gjithë qëndrimit tim te Slloga Jugomagnati, duke u bërë një nga figurat mjaft të rëndësishme të ekipit, dhe duke shënuar edhe mbi 25 gola edhe përpos rolit të mesfushorit defensivë.
KOHA: Si rezultat i kësaj, ofertat për të vazhduar karrierën jashtë Maqedonisë nuk munguan. Dhe, prej vitit 2004/2005, ke luajtur për katër klube të huaja, si Levadiakos (Greqi), Ksamaks (Zvicër), Haka dhe Mypa (Finlandë). Na trego më tepër për këto klube?
MUSTAFI: Pas një pauze relativisht të gjatë për shkak të një lëndimi serioz, u ktheva përsëri të luaj në ritme të njëjta si më parë, duke u bërë përsëri pjesë e reprezentacionit të Maqedonisë. Me mbarimin e kontratës katërvjeçare me Slloga Jugomagnatin, u hap mundësia për tu transferuar jashtë vendit. Destinacioni i radhës ishte K.F. ”Levadiakos” nga Greqia, e cila garonte në kategorinë e dytë B Ethniki, me ambicie për tu ngjitur në kategorinë e parë. Përvoja ishte ndryshe nga ajo e të luajturit brenda Shtetit, pasi që niveli i organizimit ishte ndryshe. Impenjimi personal ishte më i madh, poashtu edhe sfidat ishin më ndryshe. Duhej të tregoj vlerat e mia nga e para. Fillova shumë mirë duke u bërë pjesë e pandashme e ekipit. Më pas vjen një lëndim për të cilin pauzova 3 muaj, më pas për tu kthyer përsëri në formacion dhe duke mbaruar vitin të kualifikuar në Kategorinë e parë Greke. Duke pasur në tryezë vazhdimin e kontratës edhe për dy vite, unë vendosa t’i përgjigjem një oferte tjetër. Asaj të Neuchatel Xamaxit. Në Zvicër nënshkrova kontratë dy vjeçare. Niveli Evropianë-perëndimor ishte ai që më përshtatej më shumë duke marrë parasysh mentalitetin e ndryshëm nga ai Ballkanik. Në Xamax pata fillim shumë të mbarë, duke pasuar një periudhë kur u ndryshua trajneri Alain Geiger, për tu zëvendësuar me të mirënjohurin Miroslav Çiro Blazevic. Aventura ime me Çiron nuk ishte shumë e mirë, dhe unë nuk pata shumë minutazh gjatë kësaj kohe. Ekipi u transferua në kategorinë e dytë zvicerane pas dështimit të Çiros për të bërë më shumë. Duke pasur ofertë të hapur nga Haka e Finlandës dhe duke mos dashur të luaj në kategorinë e dytë në Zvicër, kërkova të prish kontratën me Xamaxin dhe pranova ofertën e Haka-s nga Finlanda. Gjatë qëndrimit në Finlandë kam pasur rastin të luaj për dy klube mjaft të organizuara si Haka dhe më pas Mypa. Kam kaluar mjaftë momente të mira dhe kam mësuar mjaftë nga bota e Futbollit. Si përfundim, gjatë karrierës sime jashtë vendit kam mësuar shumë nga futbolli profesionist duke ngritur vetëdijen time në nivel tjetër në lidhje me atë se si e konceptoj unë dhe rrethi këtu, futbollin.
KOHA: Pas aventurës evropiane, në vitin 2010 u riktheve në Maqedoni, aty ky nise karrierën, te Shkëndija. Cilat janë arritjet më të mëdha në këtë klub gjatë dy viteve sa ishte pjesë e saj.
MUSTAFI: Kthimi im në Maqedoni përputhet me angazhimin tim në KF Shkëndija, te klubi i zemrës. Kthimi im përshtatej me premtimin tim se në fund të karrierës do të luaja përsëri në Shkëndijë. Aty gjeta lojtarë të rinj dhe kualitativ si dhe bashkëlojtarë të mëparshëm, si Ardian Nuhiu dhe Suat Zendeli. Ishte një kombinim i hatashëm i eksperiencës dhe rinisë, të cilët ishin të uritur për të fituar. Pikërisht kjo ndodhi. Atë vit Shkëndija arriti të shpallet Kampion i Maqedonisë, së pari herë në historikun e saj. Ishte qershia mbi tortë, për karrierën time futbollistike. Kënaqësia më e madhe që ndonjëherë e kam pasur. Çdo gjë që ndodhi më pas nuk ishte e ndonjë rëndësie të veçantë.
KOHA: Më pas vendose ti varësh këpucët në gozhdë, ishte 4 shkurti i vitit 2014 nëse nuk gabojmë. Ishte lehtë ti thuash mjaft lojës së futbollit?
MUSTAFI: Me rimëkëmbjen e K F Shkëndija, pas futjes së ‘Ecologut’ si sponsor kryesor, u desh që të angazhohem të luaj edhe për një periudhë 6 mujore pasi që klubi kishte problem me gjetjen e lojtarëve, duke marrë parasysh se klubi ishte vonuar me startin e sezonit dhe përgatitjen për sezonin që pasonte. Kjo në njëfarë mënyre më bën edhe më krenar pasi si lojtarë profesionist luajta një gjysmësezoni edhe në epokën e re të KF Shkëndisë me ‘Ecologun’ si sponsor gjeneral. Pasi mbaroi gjysmësezoni pas shumë analizave vendosa ti them mjaft jetës profesionale futbollistike. Dhe saktë në shkurt të 2014 e bëra oficiale tërheqjen time.
KOHA: Por, nuk vonoi shumë, dhe pas 7 muajve u riktheve te Shkëndija, por tani në rol tjetër, atë të drejtorit sportiv. Si erdh deri te kjo?
MUSTAFI: Në kohën kur mu ofrua posti i drejtorit Sportiv në klub, unë isha duke kryer detyrën e trajnerit kryesor te Juniorët e KF Shkëndija. Klubi kishte sjell vendim për të ndryshuar stafin udhëheqës, dhe mua mu ofrua posti i Drejtorit Sportiv. Ishte një periudhë interesantë, me sfida te reja dhe ndryshe nga ajo e të luajturit futboll.
KOHA: Por, pa bërë një vit, u larguat nga ky post. Pse ndodhi kjo duke marr parasysh se gjërat po ecnin mirë dhe aso kohe nga klubi heshtnin derisa me të madhe flitej se ju por edhe drejtori i atëhershëm Lulzim Imeri, nuk jeni më pjesë e kryesisë kuqezi.
MUSTAFI: Me mbarimin e kampionatit, Bordi i KF Shkëndija vendosi që në klub të sjellë një njeri mjaft të fuqishëm si Fali Ramadani, menaxher sportiv me renome botërore tashmë. Kjo për mua ishte edhe një satisfaksion pasi që në klub vinte një njeri, i cili ishte me peshë në futboll, dhe unë u largova nga klubi pasi që edhe kisha nevojë për një qetësim pas atij stresi të krijuar.
KOHA: E dimë se një kohë të gjatë jeni pronar i kafiterisë “M House Coffee”. Nga lindi kjo ide, çfarë donë të thotë ‘M Houese Coffee”, dhe a është kjo si kafiteritë tjera, apo ofron diçka tjetër?
MUSTAFI: Në përditshmërinë time krahas njohurive të mia në futboll, merrem edhe me menaxhimin e dy kafiterive në Tetovë, të cilat i kisha hapur për satisfaksion personal. Sot, kjo është bërë si familje për të gjithë Tetovarët edhe më gjerë. Aty gjejnë vendin studentët, fëmijët, familjarët, pleqtë etj. Kjo më gëzon tej mase, dhe ajo që më bën të rehatshëm është fakti se ofrojmë ushqime të shëndetshme, dhe në këtë tetovarët kanë reaguar shumë pozitivisht. Pra janë kafiteri jo të zakonshme, me koncept më specifik dhe me produkte jo të zakonshme për rrethin tonë. ‘M House’ do të thotë ’My House’ domethënë ’Shtëpia Jonë’, ku kam dëshirë që të gjithë klientët ta ndjejnë si shtëpinë e tyre. Në anën tjetër emri qëndron edhe për ’Mustafi’s House’ që është mbështetje për Mbiemrin e familjes sonë.
KOHA: Pos mysafirëve të zakontë, a vijnë në lokalin tuaj edhe ish-shokët e skuadrës me të cilët ke luajtur?
MUSTAFI: Si klientë të rregullt kam shumë njerëz të ndershëm dhe famoz, në realitet të gjithë klientët i kemi mjaft të sjellshëm dhe të ndershëm. Nga bashkëlojtarët shumë janë që vijnë, duke filluar më të rinj, gjithmonë aty i gjen Buba Hasanin, Ardian Cuculin. Kurse poashtu vijnë edhe shumica e lojtarëve aktual të Shkëndisë. Nga bota e aktrimit aty kemi edhe Xhevdet Jasharin-Arifikmetin, Sopin e të tjerë. Me rëndësi është se të gjithë gjendemi aty.
KOHA: Pos ju, me futboll është marr edhe vëllai juaj Nuriu. A keni luajtur ndonjëherë njëri kundër tjetrit, ose bashkë. Nëse po, si është ndjenja.
MUSTAFI: Me Nuriun nuk kemi luajtur në klub të njëjtë bashkë në ndonjë ndeshje oficiale, kundër kemi luajtur në periudhën kur unë luaja te Slloga Jugomagnat kurse Nuriu në Shkëndijë. Pastaj jemi takuar në disa klube duke qenë para angazhimeve të njërit apo tjetrit me kontrata profesionale. Nuriu ka qenë te Haka në stërvitje për tu angazhuar, edhe pse kjo nuk u arrit. Pastaj Nuriu ishte në stërvitje në Mypa, ku jemi stërvitur bashkë. Kurse më vonë u takuam në GIF Sundsvall në Suedi, ku unë isha në stërvitje për të nënshkruar kontratë. Mburrem me të për shkakun se arriti në majat e futbollit me impenjim maksimal të tijin. Ne GIF Sundsvall u bë një ndër lojtarët kryesorë për 5 vite.
KOHA: Je i martuar dhe ke dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë. Dëshiron që edhe djali të merret me futboll, apo nuk do t’ia imponosh dhe do ta lësh vet të zgjedh se me cilin sport të merret?
MUSTAFI: Jetoj jetë familjare, kam gruan dhe dy fëmijë bashkë me prindërit. Jam i lumtur me ta dhe e gjithë sakrifica e kaluar, bashkë me atë që tani po kaloj arsyetohet me lumturinë që më sjellin të gjithë ata. Nuk dua tu imponoj fëmijëve diçka që unë kam dëshirë. Janë në pyetje ata dhe dashuria e tyre ndaj gjërave dhe jo e imja apo e dikujt tjetër. Ata do zgjedhin vetë atë që duan, kurse unë do pretendoj tu jap atyre më tepër shanse. Një lehtësim për ta duhet të jetë rrugëtimi im në sportin profesional, do kem mundësi t’i udhëzoj.
KOHA: Momenti më i mirë dhe më i keq që ju ka ndodhur derisa jeni marr me futboll?
MUSTAFI: Momenti më i mirë Shpallja Kampion me Shkëndijën dhe Slloga Jugomagnatin për të parën herë. Momenti më i keq lëndimi në stërvitje me Kombëtaren, që më la jashtë fushave për plotë 13 muaj.
KOHA: Tani meqë nuk jeni i angazhuar, në cilin rol do ta shohim Nebiun në të ardhmen?
MUSTAFI: Futbolli është pasioni dhe profesioni im. Plani i radhës është Master në Menaxhment Sportiv jashtë vendit, me gjasë në një nga vendet Skandinave. Më pas do shohim, jam para mbarimit të Pro Licencës, që do të ishte edhe një mundësi për të punuar si trajner.
KOHA: Si i sheh ecurinë e Shkëndijës. Beson në projektin të cilin e ka filluar Lazim Destani?
MUSTAFI: Shkëndija tashmë duket e sigurt. Edhe përpos shumë luhatjeve dhe ndryshimeve, unë mendoj se Shkëndija me ‘Ecologun’ në krye, do ta gjejë rrugën e drejtë, kurse ajo për mua nuk është nëse Shkëndija do ta fitojë një herë apo dy Kampionatin, por shumë më shumë se ajo. Aty duhet krijuar vlera të mirëfillta profesionale. Krijim të një klubi me tipare Evropiane dhe mu kjo do shumë punë dhe shumë profesionalizëm. Me njerëz që s’janë të futbollit kjo gjë rëndë se ndonjëherë do të arrihet. Është e rëndësishme që sponsori të jetë aty dhe qëllimi të jetë për të krijuar vlera.
KOHA: A do të ishte rikthyer të punosh tek FC Shkupi, kuptohet nëse të arrin oferta?
MUSTAFI: Shkupi është klubi im poashtu pas Shkëndijës. Unë jo vetëm për të punuar si profesionist te Shkupi, por jam në gjendje të jap ndihmesën time te Shkupi dhe te Shkëndija çdo herë që të jetë e nevojshme. Unë u jam mirënjohës të dy klubeve, dhe mendoj se përpos se kam dhënë gjithçka për të dy klubet, përsëri jam aty çdoherë që të jetë nevoja.