Aventura e Celtic në Champions League tashmë ka përfunduar sikurse dhe pjesëmarrja e Brendan Rodgers në kompeticionet europiane gjatë këtij sezoni ka mbërritur në finish. Kampionët e Skocisë e mbyllën eksperiencën e tyre në Champions League me një barazim 1-1 në transfertë ndaj Manchester City, mbrëmjen e të martës në “Etihad Stadium”. Në fakt, ekipi i drejtuar nga Pep Guardiola dështoi të mundë skuadrën skoceze në të dyja okazionet gjatë fazës së grupeve të Champions League këtë edicion, teksa të dyja ndeshjet përfunduan në barazim. Gjithsesi lajmi është një tjetër. Një tifoz i zjarrtë, gati gati i çmendur i Celtic e humbi shansin e tij për të asistuar në ndeshjen e fundit të ekipit të tij të zemrës, për këtë edicion në Champions League, përballë Manchester City, për një motiv vërtetë qesharak. Departamenti i Policisë së Manchester ka bërë disa publikime në rrjetin social “Twitter”, duke raportuar mbi marrëzitë e tifozit të Celtic. Ata raportuan se tifozi u ndalua dhe u shoqërua në komisariat për shkak të një sulmi me hamburger ndaj një kali të policisë! Fatkeqësisht duket se mungojnë foto ose video të incidentit, ndërkohë që tifozët nuk kanë vonuar të tallen në rrjetet sociale.