E bija e studiuesit dhe albanologut Eqrem Çabej, ka themeluar në Tiranë një institut me emrin e tij në mënyrë që ti kushtoj vëmendje studimeve albanologjike dhe gjuhës shqipe në përgjithësi. Instituti ka për qëllim publikimin e veprave studimore dhe një kujdes të veçantë mbi gjuhën për nderë të veprës se Çabej, i cili tërë jetën ia kushtoj kërkimeve dhe ngritjes së gjuhës shqipe duke u bërë edhe një nga udhërrëfyesit e kultivimit të saj. Instituti Çabej është një fondacion kulturor kushtuar punës në lëmin e gjuhës shqipe, shkencave albanistike dhe kulturës sonë kombëtare.
Ai themelohet duke u mbështetur në trashëgiminë intelektuale të dijetarit Eqrem Çabej. Nisma për themelimin e Institutit Çabej është marrë nga Brikena Çabej dhe Gjergj Shiko, në bashkëpunim me një grup specialistësh e dashamirësh të veprës së Eqrem Çabej e të studimeve albanistike. “Gjuha është pasuria më e madhe e një populli”. Me këtë shprehje, të babait të saj, albanologut Eqrem Çabej, e nisi fjalën e saj përuruese për Institutin, Brikena Çabej. “Ky institut është për studimet që merren me gjuhën, por edhe me shkencat e tjera. Ne po e themelojmë këtë Institut me shpresën, që pasardhësit do ta çojnë përpara, duke uruar jo vetëm që të shërbejë si një rrjet ndërlidhës, por edhe përbashkues për shqiptarët kudo që janë, e veçanërisht për ata shqiptarë, që merren me shkencat humane”. Instituti Çabej vjen si një nevojë parësore e shkencës së albanologjisë për të përbashkuar të gjithë studiuesit shqiptarë të kësaj disipline themelore për kulturën tonë, pavarësisht vendndodhjes së tyre. Bashkërendimi i mendjeve, vullneteve dhe tematikave të studimit mbi shqipen është një punë tejet e dobishme, të cilën Instituti Çabej e ka në qëllimin e tij kryesor të themelimit, thuhet në njoftimin e këtij instituti.
Çabej ka qenë i fokusuar dhe i interesuar për trevat shqiptare dhe për ngritjen e gjuhës dhe mendimit shqiptarë në të gjitha trevat, pavarësisht se edhe vet bashkëpunimi mes shqiptarësh ka qenë shpesh i penguar. “Albanistika me të gjitha disiplinat e veta ka pasur momente të ulëta e momente të larta në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës; ka pasur momente ku bashkëpunimi thuajse ka munguar krejt, ka pasur momente ku për shkak të rrethanave të kohës kanë mundur të komunikojnë vetëm studiuesit e ky komunikim ka qenë jetik për shqipen, pasi të shtrënguar të mos komunikonin mes veti dy bashkësitë shqipfolëse, ua kishin besuar së paku përbashkimin gjuhësor vullneteve të mbara të gjuhësisë”, thuhet në njoftim. Drejtuesja e këtij institute kujton se Çabej rezulton të jetë vullneti me i mbarë i atyre kohëve, pedagogu i leksioneve të Prishtinës mbi historinë e gjuhës shqipe dhe mbi albanistikën si pjesë e studimeve indoeuropiane.
Fillimi i viteve ’70 e gjen Eqrem Çabejn të përfshirë në një cikël të tillë leksionesh pasuniversitare, pra mbi historinë e shqipes dhe simotrave të saj. Leksione të tilla për Prishtinën dhe krejt bashkësinë shqipfolëse në Kosovë asokohe qenë të pazëvendësueshme pasi për kushtet historike në të cilat gjendej Kosova, kaptonin kufijtë e mirëfilltë të shkencës dhe lidheshin për së drejti me debatin e autoktonisë së shqiptarëve. “Ndaj jo rastësisht botimet Rilindja të Prishtinës qenë të parat që botuan në 6 vëllime “Studime Gjuhësore” të Eqrem Çabej, në të cilat përfshihen studime etimologjike, të gjuhësisë historike, të antropologjisë kulturore dhe gjuhësore të shqiptarëve e të gjithçkaje tjetër që albanologët e Prishtinës kishin mundur të përmblidhnin nga Çabej. Vetëdija se shqiptarët janë një komb gjuhësor bën që Instituti Çabej të mos ketë thjesht mision shkencor por edhe kombëtar”, thuhet në njoftimin e Institutit Çabej, i cili do të mirëpres të gjithë studiuesit shqiptarë.