Fisnik NUHIU
Shkup, 2 shkurt – Muhamed Thaçi te merret me sport filloi qysh në moshën 8 vjeçare. Hapat e para i filloi në futboll, ndërsa me kalimin e kohës e provoi vetën edhe në hendboll. Pas ushtrimeve dhe stërvitjeve të rregullta Muhamedi u zhvillua shumë dhe mori një gjatësi të madhe, ku pas kësaj lindi ideja që të ndërpret futbollin dhe hendbollin dhe të provon vetën në basketboll, ku dhe sot është duke ushtruar dhe trajnuar këtë sport. Muhamed Thaçi, si basketbollistë ka patur një karrierë të pasur duke provuar shumë kampionate të ndryshme, si ai vendor, kosovar, hungarez, polonez, izraelit dhe turk, ku në këtë të fundin ka kaluar periudhën më të mirë në jetën e një basketbollisti. Thaçi, me basketbollin profesional u njoftua në moshën 17 vjeçare te ekipi i MZT”- Skopje, ku dhe ishte i vetmi shqiptar në skuadër, ndërsa ishte ekip i përbërë prej nëntë lojtarëve që ishin pjesë e reprezentacionit të Maqedonisë. Po ashtu me ekipin e “MZT”, Muhamedi mori pjesë në Europa Kupë, ku u bë shqiptari i parë që në këtë moshë të re të luaj në këtë kompeticion. Thaçi nuk ndaloi asnjëherë të merret me basketbollin ai për momentin është duke punuar si trajner në akademinë e basketbollit “Ankara Tofas, të Turqisë. Në intervistën e dhënë për gazetën Koha, Muhamed Thaçi tregon për hapat e para në basketboll si dhe për ndodhitë e tij.
KOHA: Me basketbollin keni filluar në moshë shumë te re. Çfarë ju shtyu që të merreni me këtë sport, e jo me futboll ose ndonjë sport tjetër?
THAÇI: Si të gjithë fëmijët edhe unë që në moshën tetë vjeçare, fillova të merrem me sport. Së pari nisa të ushtroj futbollin, më pas e kam provuar vetën edhe në hendboll. Në një periudhë shumë të shkurtë fillova të zgjatëm shumë dhe më lindi ideja që të vazhdojë karrierën në basketboll, ku edhe mund të them se kamë qenë shumë i suksesshëm në këtë sport.
KOHA: E mbani mend ndeshjen e parë si basketbollist?
THAÇI: Pasi isha nxënës i shkollës fillore dikur “Dame Gruev”, tash “7 Marsi”, ndeshja ime e parë në basketboll ishte pikërisht për ekipin e shkollës. Nuk mbaj mend së ndaj kujt kemi luajtur vetëm se më kujtohet që kemi dal fitues.
KOHA: Nga kush jeni frymëzuar kur keni luajtur basketboll?
THAÇI: Si fëmijë gjithmonë kam pëlqyer lojën e basketbollistin kroat Drazhen Petroviç i cili ka patur një karrierë të mrekullueshme duke luajtur edhe në NBA. Në ish Jugosllavinë siç e di sportet kolektive kanë që më të mirë, por frymëzimi im për tu bërë një sportistë i suksesshëm më ka dhënë futbollisti i mirënjohur shqiptar, Fadil Vokri.
KOHA: Fillimin e karrierës e keni nisur te Slloga, e keni vazhduar te MZT-së, pastaj keni luajtur edhe te Vardari. Sa ka qenë e vështirë për ju që të jeni në mesin e këtyre dy skuadrave?
THAÇI: Karriera ime profesionale në basketboll nisi te ekipi “Slloga”, ku atëherë në përbërjen e vetë kishte shumë lojtar cilësore. Duke vazhduar karrierën në skuadrën e “MZT”, e cila në përbërjen e saj kishte nëntë basketbollistë që luanin për reprezentacionin e Maqedonisë. Sa isha pjesë e kësaj skuadre kamë qenë lojtari i parë shqiptar që në moshën 17 vjeçare të luaj në Europa Kupë, po ashtu edhe i vetmi shqiptar që isha në Ligën e Maqedonisë. Pasi përfundova kontratë me ekipin e MZT kalova te Vardari, mirëpo këtu isha një periudhë shumë të shkurtë, gjashtë mujore.
KOHA: Si basketbollistë keni luajtur në shumë klube kosovare. Pse në Kosovë e jo në Maqedoni?
THAÇI: Në vitin 2001, Maqedonia u përfshi nga lufta, dhe un nuk dëshiroja që karriera ime të stagnojë, pasi që e dua këtë sport, kisha vullnet dhe doja që të jem aktiv të arrijë sukseset që unë pretendoja. Mirëpo përshkaqe sigurie un isha i detyruar që karrierën time ta vazhdojë në Kosovë. Sa isha pjesë e kampionatit kosovar në basketboll luajta për tri ekipet më të mira në vend, si KB “Prishtina”, KB “Peja” dhe KB “Mabeteksi”.
KOHA: Maqedonia apo Kosova në basketboll. Ku investohet më shumë?
Thaçi: Mund të them lirishtë se basketbolli në Maqedoni është shumë më përpara se ai kosovarë në të gjitha aspektet. Të gjithë e dimë se ishte pikërisht reprezentacioni i Maqedonisë ai që arriti në kampionatin Evropian në vitin 2011 të del e katërta në Evropë. Në gjë më vjen keq që në Maqedoni nuk kemi asnjë ekip shqiptar që garon në Ligën e Parë.
KOHA: Përveç kampionatit kosovar keni provuar edhe atë turk. A mund të na tregosh periudhën sa ishit në Turqi.
THAÇI: Karriera nuk ka qenë vetëm në një vend, por kam provuar shumë kampionate. Përveç, Maqedonisë dhe Kosovës, un kam luajtur edhe në kampionatin e Polonisë, Hungarisë dhe atë të Izraelit. Ndërkaq, ajo që më ka lënë përshtypje dhe që më ka dhënë vullnet, ka qenë periudha kur un luaja në Turqi, për ekipin e “Ormanspor Gençlik”, të Ankaras, këtë e them pasi me plotë bindje pasi që turqit vlerësojnë dhe respektojnë çdo sportist.
KOHA: Pas Turqisë, ktheheni në Maqedoni. Ku edhe u bëtë pjesë e ekipit të KB Lira. Mirëpo këtu qëndruat vetëm për një vit. Pse vendosët të largoheni aq shpejtë?
THAÇI:: Përfundimi i kontratës me ekipin nga Turqia, më bëri që un të rikthehem në Maqedoni, për të luajtur për ekipin e KB “Liria”, të cilët garonin në Ligën e Parë të Maqedonisë. Qëndrimi im te “Liria”, ishte shumë i shkurtë, dhe luajta vetëm katër ndeshje. Në adresën time erdhi një ofertë shumë e mirë dhe un nuk munda ta refuzoj, kështu që vendosa të largohem nga KB “Liria”, dhe të vazhdojë të luaj përsëri në Kosovë, te klubi i basketbollit “Trepça”.
KOHA: KB Liria në fillim ishte shumë ekip serioze, po për një kohë shumë të shkurtë u shua si skuadër. Ku qëndron problemi?
THAÇI: Të gjithë menduam se ishte momenti që shqiptarët e Maqedonisë, të kishin një skuadër që garon në Ligën e Parë. Mirëpo e gjithë kjo doli të jetë vetëm në dokument për përfitime afariste private të disa personave që kishin marrë klubin në dorë, për qëllime të tyre, ku rezultoi me shuarjen e klubit.
KOHA: Na tregoni aktivitetet tuaja aktuale?
THAÇI: Pasi që provova veten si lojtarë në shumë skuadra të basketbollit, e që karriera ime nuk stagnoi në asnjë moment, me vullnetit tim të mirë, un vazhdoj të merrem ende me këtë sport ku për momentin jam trajner i akademisë “Ankara Tofas”, së basketbollit në Turqi. Por mos harroj që ta përmend se hapat e mia si trajneri i fillova te ekipi i “NBA Çair”.
KOHA: Si trajner filluat te “NBA Çairi”. Sa talent të basketbollit ka kjo skuadër?
THAÇI: Sa isha pjese e këtij ekipi, në përbërjen kishte shumë djelmosha të rinj që ishin shumë të talentuar. Ata edhe më tej janë të suksesshëm, mirëpo për të arritur suksese të gjithë këta duhet të kenë së pari vullnetin, më pastaj përkrahjen familjare, që ata më pas të vazhdojnë me dëshirën e vet që ti arrijnë majat e suksesit.
KOHA: Sa keni qenë trajnerë në këtë skuadër, a të ka kujtuar vetën ndonjë lojtarë?
THAÇI: Vetën time për momentin e shoh te djali im, ai më kujton rinin time në çdo aspekt.
KOHA: Sipas teje, cila do të jetë e ardhmja e basketbollit në Maqedoni?
THAÇI: Sporti në vendin tonë, ka ngelur shumë mbrapa, si në futboll, basketboll, hendboll e shumë sporte tjera. Për të arritur suksese duhet të financohet, mirëpo kjo nuk po ndodh në Maqedoni, dhe derisa nuk do të kemi financa sporti do të jetë gjithmonë i zbehtë.
KOHA: Shumë herë e keni provuar vetën edhe në hendboll?
THAÇI: Hendbolli për mua është një hobi. Te ekipi i KH Rinia kam shumë shokë që i konsideroj si vëllezër dhe shumë herë shkoj dhe luaj për qejf.
KOHA: Jeni i martuar dhe jeni prind. Më çfarë po merren fëmijët e tu. A po i ndjekin hapat e babait apo merren me ndonjë gjë tjetër?
THAÇI: Jam baba i dy fëmijëve të mrekullueshëm, kam një djalë i cili po i ndjek hapat e mia,un e ceka edhe më lart se ai shfaq interes të madh për basketbollin, dhe si thotë një fjalë popullore, “bëmë baba të të ngjaj”, për momentin ai luan në klubin e basketbollit Feniks dhe i shkon shumë mirë, ndërsa vajza nuk merret me sport .
KOHA: Si e kalon një ditë të lirë Muhamedi?
THAÇI: Pasi që jam trajner në akademinë e basketbollit “Ankara Tofas”, thuajse nuk kam kohë të lirë aspak. Një pjesë e mirë e ditës më kalon në palestër.
KOHA: Synimi yt për të ardhmen?
THAÇI: Jam duke dhënë më të mirë nga ana ime. Mundohem që çdo ditë të mësoj diçka të re. Shpresoj se në të ardhmen të behëm trajner me renome. Dhashë Zoti t’ia arrij qëllimit e mia.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.