Shkup, 28 mars – Ambasadori i Francës, Shkëlqesia e Tij, Z. Kristian Timonie, në emër të Presidentit të Republikës së Francës, do t’i ndajë zonjës Teuta Arifi, simbolin e Oficerit të Urdhrit Kombëtar të Meritës. Kryetare e Komunës së Tetovës, ish-zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane, frankofone në mendje dhe në veprim, znj. Teuta Arifi merr këtë çmim të rëndësishëm francez për përpjekjet e saja të veçanta, në favor të zhvillimit të marrëdhënieve mes Francës dhe Maqedonisë, si dhe integrimit të saj evropian. Urdhri Kombëtar i Meritës, i krijuar në vitin 1963 nga Gjenerali de Gol, është një nga çmimet më prestigjioze franceze. Çmimi u ndahet personaliteteve franceze apo të huaja, për merita të shquara, ushtarake ose civile. Presidenti i Republikës është kreu i këtij urdhri.