Urim HASIPI
Tetovë, 25 janar – Rreth 80 për qind e shfrytëzuesve të ndihmës sociale në Tetovë kanë bërë ripërtëritjen e dokumenteve, shkruan gazeta KOHA. Sipas përgjegjësve në Qendrën për Punë Sociale në Tetovë, këtë të drejtë në Tetovë gjithsej e shfrytëzojnë 3400 persona. Nga kjo qendër kanë bërë të ditur se gjatë kësaj periudhe sa është duke vijuar ripërtëritja e dokumenteve, ka 150 shfrytëzues të rinj që kanë aplikuar. “Deri më tash ne kemi pasur 3400 shfrytëzues të ndihmës sociale deri më datë 24 janar, gjegjësisht deri të martën 2900 shfrytëzues i kanë ripërtërirë dokumentet, në veçanti mund të cekim se këtë vit kemi edhe 150 shfrytëzues të rinj, të cilët për herë të parë ose pas një pauze prej dy tre vitesh kanë vendosur që të ripërtërijnë sërish dokumentet për shfrytëzimin e ndihmës sociale, kështu që bashkë me këto shfrytëzuesit e rinj, numri ka arritur diku rreth 3150 shfrytëzues të ndihmës sociale të cilët kanë ripërtërirë dokumentacionin e nevojshëm. Numri i shfrytëzuesve të ndihmës sociale nga viti në vit shënon ulje. Nuk kemi rritje të numrit ashtu si dikur, për shkak se shumica largohen nga vendi dhe arrijnë të sigurojnë një punë jashtë vendit për tre apo katër muaj, kështu që prindërit e tyre nuk mund ta shfrytëzojnë atë të drejtë për shkak se një anëtar i familjes i cili nuk mund të bëj deklaratën për të përdorur të dhënat personale gjendet jashtë”, thotë pwr KOHA Iljas Alija, udhëheqës Sektori për Ndihmë Sociale, pranë Qendrës për Punë Sociale në Tetovë.
Nga kjo qendër njoftojnë se probleme më shumë ka në këtë periudhë me personat që vijnë nga fshatra për shkak se të njëjtit e kanë vështirë që të arrijnë në qytet, por megjithatë ai shpreson se deri më 27 janar kur është afati i fundit për ripërtëritje të dokumenteve do të rregullojnë dokumentet. “Probleme ka të natyrave të ndryshme, koha e bën të veten për shkak se çdo anëtarë i moshës madhore duhet të jetë personalisht të bëj deklaratën, mirëpo duke marrë parasysh se është kohë dimri nga fshatrat e largëta është e pamundur që të vijnë të gjithë anëtarët, mirëpo sado kudo në e kemi patjetër të gjejmë një zgjidhje që të mos dëmtohet ato mirëpo kujdesemi që edhe ne të mos shkelim ligjet”, shprehet ai.
Nga Qendra për Punë Sociale në Tetovë thonë se pas tre vitesh shfrytëzim të ndihmës sociale, e njëjta përgjysmohet. “Sa i përket asaj se sa denarë marrin këto shfrytëzues janë me renditje si për shembull familja pesë anëtarësh në tre vitet e para merr nga 7100 denarë në muaj, dhe kështu me radhë familjet me nga 4 anëtarë marrin nga 5600 denarë, familjet tre anëtarësh marrin nga 3600 denarë, por të gjithë ata kur mbërrijnë afatin prej 3 vitesh, kjo shumë që sigurojnë nga ndihmat sociale zvogëlohet për 50 për qind”, thotë Alia. Për dallim nga vitet e kaluara kur qytetarët pritnin ditët e fundit të afatit për të bërë ripërtëritjen e dokumenteve, tashmë sipas autoriteteve të kësaj qendre shfrytëzuesit në kohë rregullojnë dokumentet. Krahas kësaj, sipas shfrytëzuesve të ndihmës sociale për ripërtëritjen e dokumenteve nevojiten shumë dokumente të sigurohen për të arritur deri tek ajo ndihmë sociale dhe kjo krahas asaj që u humb shumë kohë duke qarkulluar nga një institucion në tjetrin po ashtu edhe nxjerra e dokumenteve shtesë kushton shumë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.