Fisnik PASHOLLI
Shkup, 30 janar – Gjithsej 104.523 persona në Maqedoni në mënyrë aktive kërkojnë punë, ndërsa 96.251 të tjerë janë shprehur se janë të papunë, por se nuk dëshirojnë që Agjencia për Punësim t’u ndihmojë të kërkojnë punë, shkruan gazeta KOHA. Kështu tregon lista për papunësinë në Agjencinë për Punësim deri në muajin dhjetor të vitit të kaluar. Numrat tregojnë se krahasuar me gjendjen në muajin janar të vitit të kaluar, në muajin dhjetor ka patur 12.078 persona më pak në listën e të papunë që në mënyrë aktive kërkojnë punë, ndërsa në atë me të papunët që në mënyrë jo aktive kërkojnë punë, numri është rritur për 31 persona. Statistika e Agjencisë për Punësim tregon se më së shumti të papunë që kërkojë punë, gjegjësisht janë të evidentuar në Agjenci, ka në qytete për dallim prej fshatrave, ku numrat janë më të ulëta, madje edhe deri në trefishë. Kështu, Shkupi mban rekordin për nga numri i personave të cilët në mënyrë aktive kërkojnë punë, me 15.822 të papunë në listë, prej të cilëve madje 12.688 janë në qytet, ndërsa vetëm 3134 persona janë nga fshatrat rreth Shkupit. Por, nëse krahasohet me numrin e banorëve, del se në kryeqytet gjendja nuk është edhe aq katastrofale. Gjendja më e keqe është në Tetovë, sepse në këtë qytet ka madje 13.751 të papunë që kërkojnë punë. Është interesante që në Tetovë numri më i madh është i atyre nga fshatrat që kërkojnë punë sesa prej atyre nga qyteti. Kështu që nga qyteti i Tetovës janë evidentuar 6498 persona, ndërsa nga fshatrat 7253 persona.
Në Manastir dhe Gostivar nga 6200 të papunë
Të dhënat për Tetovën janë më të këqija, sepse në krahasim me Manastirin ose Gostivarin – atje ka dyfish më shumë të papunë, raporton më tej KOHA. Në Manastir dhe Gostivar janë diçka më shumë prej 6200 persona të papunë. Numrat e Agjencisë tregojnë se në tabelën e personave që kërkojnë punë në mënyrë aktive në muajin dhjetor të vitit të kaluar, për disa qindra persona dallon e dhëna me ata që janë futur dhe për ata që kanë dalë nga evidenca e Agjencisë. Në muajin dhjetor ka patur rrjedhë prej 5449 të papunëve të rinj që janë shprehur se kërkojnë punë dhe rrjedhë prej 5379 personave që në baza të ndryshme – nuk janë të evidentuar si të papunë më. Të dhënat tregojnë se për muajin dhjetor, si të papunë të rinj janë paraqitur 688 persona dhe ajo është paraqitja e tyre e parë. 3383 të tjerë janë futur në evidencë sepse u është ndërprerë marrëdhënia e tyre e punës, pavarësisht para sa viteve. Madje, ka edhe 1182 persona që më herët janë hequr nga evidenca dhe sërish janë kthyer aty si të papunë. 496 të papunë që janë paraqitur se dëshirojnë prej jo aktivë të përfshihen në kërkues aktiv të punës.
Tabela, megjithatë, për largimin e të papunëve nga evidenca e Agjencisë për Punësim tregon se në muajin dhjetor ka patur gjithsej 5379, prej të cilëve 2643 kanë lidhur marrëdhënie pune. 2032 persona të tjerë janë fshirë nga evidenca në bazë ligjore, ndërsa 704 kanë kaluar në joaktivë, gjegjësisht persona të tjerë që kërkojnë punë.
Shumica e të papunëve janë pa arsim
Shqetëson fakti se më shumë se një e treta e të papunëve që në mënyrë aktive kërkojnë punë janë të moshës prej 25 deri në 44 vjet, periudhë e jetës kur edhe produktiviteti i punëtorëve duhet të jetë më i madh. Kështu, 12.655 persona, prej të cilëve 6210 janë femra të moshës prej 25 deri në 29 vjet. Pastaj 10.676 persona të papunë që dëshirojnë punë janë të moshës prej 30 deri në 34 vjet, ndërsa 5167 prej tyre janë femra. 10.344 të tjerë janë në grupin e moshës prej 35 deri në 39 vjet, ndërsa të papunët e moshës prej 40 deri në 44 vjet janë 11.016 persona, prej të cilëve 4702 janë femra. Ndërsa personat të cilët në mënyrë aktive kërkojnë punë të moshës mbi 60 vjet janë 10.705 persona.
Të dhënat në bazë të arsimit tregojnë se prej 104.523 të papunëve që në mënyrë aktive kërkojnë punë, thuajse pak më pak se gjysma ose 44.129 janë pa arsim ose me arsim fillor të mbaruar, ndërsa prej tyre shumica janë meshkuj, ndërsa 15.403 janë femra. Me arsim jo të plotë të mesëm janë 13.948 persona, prej të cilëve 4252 janë femra. Me arsim të mesëm të mbaruar janë 31.110 persona, prej të cilëve 14.251 femra. Në muajin dhjetor të vitit të kaluar në listë me të papunë që në mënyrë aktive kërkojnë punë ka patur madje 12.684 persona me arsim sipëror, prej të cilëve pjesa më e madhe ose 8.084 janë femra. Ka patur edhe të papunë 864 magjistër të shkencave, prej të cilëve 541 femra dhe 32 doktorë të shkencave prej të cilëve 17 kanë qenë femra.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.