Laura PAPRANIKU
Shkup, 31 janar – Nuk ka mundur tu shpëtojë as këtë vit ankesave për gabime në përmbajtjen e pyetjeve dhe lëshime teknike, shkruan gazeta KOHA. Madje, ka pasur raste kur gjatë testimit – nxënësve u janë paraqitur pyetje nga materiali të cilin duhet ta mësojnë në gjysmëvjetorin e dytë, ndërkohë që vlerësimi ekstern i maturantëve duhet të testojë arritjet e tyre vetëm për materialin që është mësuar në gjysmëvjetorin e parë. Problemet e llojit “pyetje të shkruara maqedonisht” në testet e nxënësve që mësojnë në gjuhën shqipe janë evidentuar gjithashtu dhe pritet që ditëve në vazhdim të njëjtat të protokollohen në raportet përkatëse. “Tanimë jemi mësuar me këto probleme. I njëjti avaz çdo vit. Ministria i cakton datat, shkollat bëhen gati paraprakisht – nxënësit dhe profesorët e dinë se si është procedura dhe hyjnë njëlloj në testim, ndërsa lëshimet teknike nuk mungojnë, ndonjë pyetje maqedonisht në testet e nxënësve shqiptarë – po, pyetje nga materiali që duhet të mësohet gjysmëvejtorin e dytë – gjithashtu”, shprehet për KOHA, Xheladin Muça, drejtor i shkollës së mesme “Ibrahim Temo” në Strugë. Kjo, shpjegon Muça, ishte klima në ditën e parë të testimit ekstern 2016/2017 për maturantët e këtij viti, apo “melodia e njëjtë secilin vit”, sikurse shprehet ai. Përveç këtyre problemeve që kanë të bëjnë me anën përmbajtjesore të vlerësimit ekstern 2006/2017, nuk ka mundur të shmanget as ngarkesa fizike e shkollave për këtë proces, kurse nuk janë plotësuar as mungesat e kompjuterëve në shkolla të caktuara.
Gjimnazi “Sami Frashëri” në Kumanovë është detyruar të marrë hua kompjuterë nga shkolla e mesme teknike “Nace Bugjoni” që të mundësohet testimi i të gjithë nxënësve për lëndën e parë. Testimet për lëndën e dytë do të mbahen të enjten më 2 shkurt dhe meqë vlerësimi ekstrn do të mbahet vetëm në këta dy ditë (30 janar dhe 2 shkurt), shkollat me shumë nxënës dhe pak kompjuterë është dashur të formojnë numër të madh grupesh. Në gjimnazin “Zef Lush Marku” në Shkup, maturantët janë ndarë në rreth 20 grupe, të cilët testohen në radhë deri gjashtë herë. “Kemi ndarë nxënësit në grupe. Testimi do të organizohet deri ora 18 meqë për një lëndë kemi vetëm një ditë në dispozicion. Testimi do të behet në grupe, që do të ndërrohen nga 6 herë”, thotë drejtori Faruk Zeqiri. Në këtë gjimnaz janë rreth 550 maturantë, ndërsa shkolla posedon katër klasë me kompjuterë. Mirëpo, nxënësit, sikurse nënvizon ai, nuk kanë qenë të detyruar të vijnë që në mëngjes në shkollë, pasi të gjithë e kanë ditur orën kur kanë radhën e testimit.
Me grupe, që ndërroheshin katër-pesë herë është realizuar testimi ekstern edhe në gjimnazin “Sami Frashëri” në Kumanovë. “Presim që deri ora 15 të përfundojë testimi për të gjithë nxënësit”, tha drejtori Isen Ramani, ndërsa pohoi se nuk ka pasur vonesa në fillimin e testimeve dhe as ndonjë ankesë të parashtruar nga nxënësit apo profesorët. Sipas tij, gjithçka ka rrjedhur brenda dinamikës së paraparë dhe pa ndonjë problem për tu evidentuar. Gjimnazi numëron 263 maturantë, ndërsa ka vetëm një klasë me kompjuterë. Që të realizohet testimit ekstern, këtë vit huazuan kompjuterë nga shkolla e mesme teknike “Nace Bugjoni” e po këtij qyteti. Probleme të ngjashme ka në të gjitha shkollat e Maqedonisë, ku sivjet testimit ekstern do të nënshtrohen rreth 18.600 maturantë. Te tjerët do të testohen në muajin qershor.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.