Nasir al-Din Tusi ishte një dijetar dhe shkrimtar Persian: Një arkitekt, astronom, biolog, kimist, matematikan, filozof,mjek, fizikan, shkencëtar dhe teolog. Ai i përkiste besimit Islam. Dijetari musliman Ibn Khaldun (1332-1406) e konsideronte Tusi-n si më të madhin e dijetarëve të mëvonshëm Persianë. Tusi kishte rreth 150 punime, nga të cilat 25 janë Persisht dhe pjesa tjetër janë në Arabisht. Ai ka gjithashtu një traktat në Persisht, Arabisht dhe Turqisht. Gjatë qëndrimit të tij në Nishapur, Tusi krijoi një reputacion si një dijetar i jashtëzakonshëm. Shkrimet e tij në prozë paraqesin një nga koleksionet më të mëdha nga një autor i vetëm Islamik. Duke shkruar në arabisht dhe në gjuhën perse, Nasir al-Din Tusi trajtoi çështje të besimit (“Islam”) dhe subjekte jo-fetare apo laike (“shkencat e lashta”). Punimet e tij përfshijnë versionet përfundimtare Arabike të punimeve të Euklidit, Arkimedit, Ptolemeut, Autolycus dhe Theodosit të Bitanisë. Në librin e tij “Akhlaq-i-Nasri”, Tusi parashtron një teori thelbësore të evolucionit të specieve rreth 600 vite përpara lindjes së Charles Darwin. Ai e vazhdon teorinë e revolucionit me universin dikur të përbërë nga elemente të barabarta dhe të ngjashme. Sipas Tusit, kontradiktat e brendshme filluan të shfaqeshin, dhe si rezultat, disa substanca filluan të zhvilloheshin më shpejt dhe në mënyrë të ndryshme nga substancat e tjera. Pastaj ai shpjegon si elementet evoluuan në minerale, pastaj bimë, pastaj kafshë, dhe pastaj qenie njerëzore. Tusi pastaj vazhdon të shpjegojë se si ndryshueshmëria trashëgimore ishte një faktor i rëndësishëm për evolucionin biologjik të gjallesave: “Organizmat që mund të fitojnë më shpejt tipare të reja janë më të ndryshueshme. Si rezultat, ata fitojnë avantazhe mbi krijesat e tjera. […] Trupat po ndryshojnë si një rezultat i ndërveprimeve të brendshme dhe të jashtme”.
Tusi diskuton se si organizmat janë të afta për t’u përshtatur me mjedisin ku jetojnë: “Shikoni në botën e kafshëve dhe zogjve. Ata kanë çdo gjë të nevojshme për mbrojtje, siguri dhe jetën e përditshme, duke përfshirë fuqi, kurajo dhe mjete të përshtatshme [organe] […] disa nga këto organe janë armë të vërteta, […] Për shembull, dhëmbët, kthetrat-thikë dhe gjilpërat, këmbët dhe këmbët-topuz. Gjembat dhe gjilpërat e disa kafshëve janë të ngjashme me shtizat. […] Kafshët që nuk kanë mënyra të tjera mbrojtje (si gazela dhe dhelpra) e mbrojnë veten me ndihmën e fluturimit dhe dinakërisë. […] Disa prej tyre, për shembull, bletët, milingonat dhe disa specie zogjsh, krijojnë komunitete të bashkuara për t’u mbrojtur dhe për të ndihmuar njëri-tjetrin”. Tusi njohu tre tipe të gjallesave: bimët, kafshët dhe qeniet njerëzore. Ai shkruajti: “Kafshët qëndrojnë më lart se bimët, sepse janë të afta për të lëvizur vazhdimisht, të shkojnë pas ushqimit, të gjejnë dhe të hanë gjëra që u vlejnë. […] Ka shumë ndryshime ndërmjet kafshëve dhe specieve bimore, […] Së pari, mbretëria e kafshëve është më e komplikuar. Përveç kësaj, arsyeja është tipari më i dobishëm i kafshëve. Për shkak të arsyes, ata munden të mësojnë gjëra të reja dhe të adoptojnë të reja, aftësi jo-të qënësishme. Për shembull, kali i trajnuar apo skifteri gjuetar është në një pikë të lartë të zhvillimit në botën e kafshëve. Hapi i parë përsosmërisë njerëzore fillon nga këtu”.
Pastaj Tusi shpjegon se si njerëzit evoluan nga kafshët e avancuara: “Njerëz të tillë [mbase majmunët antropoidë]jetojnë në Sudanin Perendimor dhe qoshe të tjera të largëta të botës. Ata u ngjajnë kafshëve nga habitatet e tyre, veprat dhe sjellja. […] Njeriu ka tipare që e dallojnë nga krijesat e tjera, por ai gjithashtu ka tipare që e bashkojnë me botën e kafshëve, mbretërinë e perimeve madje edhe me trupat e pajetë. […] Përpara [krijimit të njerëzve], të gjitha ndryshimet ndërmjet organizmave ishin me origjinë natyrore. Hapi tjetër do të ketë lidhje me përsosmërinë shpirtërore, vullnetin, vëzhgimin dhe njohurinë. […] Të gjitha këto fakte provojnë se qënia njerëzore vendoset në hapin e mesëm të shkallës së evolucionit. Sipas natyrës së tij, njeriu është i lidhur me qeniet më të ulëta, dhe vetëm me ndihmën e vullnetit të tij mund të arrije nivele më të larta të zhvillimit”. (TheVintageNews)