Tetovë, 20 nëntor – Edhe përkundër asaj se në teren dukshëm vërehet se punimet në ndërtimin e objektit të ri të Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës, janë duke u realizuar me intensitet dhe sipas dinamikës së planifikuar, megjithatë vërehet qartë se realizimi i këtij projekti është zvarritur pasi që punimet që realizohen në drejtim të ndërtimit të këtij objekti, ende janë në fazën e parë. Sipas drejtorit të Qendrës për kulturë dhe koordinatorit të këtij projekti, Haki Fazliu, ky projekt është zvarritur për shkak të disa problemeve procedurale dhe administrative dhe nga 15 qershori i këtij viti rrjedh afati për realizimin e projektit, i cili pritet të përfundojë në qershorin e vitit 2019.
“Është një konceptim i gabuar dhe është krijuar një mendim se duhet të përfundojë në vitin 2017, por në kontratën që e kemi me operatorin e punëve, prej momentit kur ai i tejkalon të gjitha pengesat për të punuar lirshëm dhe kjo do të thotë se afati fillon të rrjedhë prej qershorit të vitit 2016”, ka deklaruar për gazetën KOHA, Fazliu. Ai shmangien nga afatet dhe premtimet publike të dhëna deri më tani i ka arsyetuar me pengesat juridike, por edhe me barakat që duhej të dislokoheshin. “Pasi që u kryen të gjitha procedurat që kishim me ndërmarrjen për menaxhim me hapësirat banesore, juridikisht prej 15 qershorit rrjedh afati për realizimin e projektit. Me këtë, kjo nënkupton që ky projekt të përfundojë në qershor të vitit 2019. Nuk kanë qenë ngecje, por zvarritje të procedurave juridike që kanë penguar realisht fillimin e punëve”, tha Haki Fazliu, drejtor i Qendrës për kulturë në Tetovë. Ndryshe, deri më tani është realizuar niveli i dytë i kateve të nëndheshme të këtij projekti gjegjësisht bodrumi, ndërsa deri në vitin 2019 pritet të realizohet edhe pjesa tjetër. Sekretari shtetërorë në Ministrinë e Kulturës, Behixhudin Shehapi, tha se ndërtimi i Teatrit dhe Bibliotekës në Tetovë, edhe përkundër zvarritjes, është një realitetit dhe është çështje kohe kur i njëjti do të përfundojë. “Kemi marrë aktivitete konkrete në tejkalimin e problemeve dhe do të rrumbullakohen shumë shpejt”, ka thënë shkurt Shehapi, i pyetur për vonesat në punën e Teatrit dhe Bibliotekës në Tetovë dhe në Teatrit shqiptarë në Shkup.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara