Qefser ABDYLI
Shkup, 6 prill – Një shtëpi gati duke u rrënuar që ngjanë në një kasolle të braktisur, pa kushte elementare për jetesë ndodhet në lagjen e Butelit. Këtu për shtatë vite jeton Selime Selmani së bashku me dy djemtë e saj, që kanë mbetur jetimë. Që nga vdekja e bashkëshortit atë e larguan nga shtëpia ku jetonin së bashku me familjen e burrit në fshatin Bojanë, shkruan gazeta KOHA. Zonja Selmani thotë se u detyrua ta blejë “shtëpi” në Butel, të cilën nuk mundë as shtëpi ta quash. Për këtë i ka ndihmuar familja e saj, por kjo nuk mjafton, pasi ajo nuk ka asfare të ardhura tjera për jetesë.
“Unë jetoj me dy djemtë e mi këtu për shtatë vite me radhë. Që nga vdekja e bashkëshortit tim na larguan nga shtëpia ku jetonim në fshatin Bojanë, kurse këtë shtëpi e mora me ndihmën e familjes time, sa të kem ku ta fus kokën se jo që mund të quhet shtëpi”, thotë zonja Selime Selmani. Ajo thekson se mezi i kalojnë ditët në këtë shtëpi të vjetruar, me mure të çara dhe me dritare të kalbura. E brengosur tregon që natën nuk mundë të flejë e qetë, pasi frikësohet se mundë t’i zë ndonjë pjesë e shtëpisë, siç kishte ndodhur një ditë teksa po flinin kur një pjesë e çatisë kishte rënë mbi to, por për fat të mirë, thotë ajo, u zuri vetëm këmbët. “Shtëpia është shumë e vjetër. Kur ishte tërmeti, një pjesë e murit jashtë ra. Fëmijëve duke fjetur u ra tek këmbët, ua zu këmbët vetëm dhe për fat të mirë nuk u ra në fytyrë. Kam pasur edhe një shporet në dhomë, por prej shiut që binte është kalbur”, tregon zonja Selmani. Netët e dimrit i kanë kaluar të mbështjellë me batanije, sepse era dhe i ftohti hynin në çdo qosh të shtëpisë, por edhe acarin e madh mezi e kanë përballuar shkaku i mungesës së një shporeti.
Ajo tregon që ndjenë nevojën edhe për ushqim pasi nuk kanë mjaftueshëm, ndërsa të ardhura nuk kanë nga askund. I kanë ndihmuar njerëzit human sadopak, respektivisht kush ka dëgjuar për këtë familje që jeton nën kushte të rënda. Atyre ua kanë ndalur edhe ndihmën sociale prej 1900 denarëve dhe tani nuk kanë aspak të ardhura. “Nuk marrim asnjë ndihmë sociale, edhe ato 1900 denarë që i merrnim na i ndalën. Mua më shumë po më vjen keq për fëmijët, pasi ata kanë frikë të jetojnë më këtu. Njëri djalë i ka 14 vjet, kurse tjetri 15 vjet. Më mërzisin shumë edhe ato sepse çdo ditë më thonë: Nënë edhe ne duam të jetojmë në një shtëpi normale si gjithë të tjerët”, rrëfen me lotë në sy zonja Selime Selmani. Ajo bënë apel deri te të gjithë ata që kanë mundësi t’u ndihmojnë të kenë një shtëpi të vogël së paku të jenë të sigurt dhe ku do të mund të jetojnë pa frikën se në çdo moment ajo mundë të rrënohet. Të interesuarit që dëshirojnë të ndihmojnë këtë familje mundë të kontaktojnë Selime Selmani në numrin e telefonit: +389 70 567 080, ose ndihmat mund t’i dërgojnë direkt në lagjen Butel të Shkupit.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara