Bujar KURTAJ
Shkup, 25 janar – Në ditët e sotme, menaxherët luajnë një rol mjaft të rëndësishëm në ecurinë e futbollit, pasi janë pikërisht ata që bëjnë të mundur transferimet e lojtarëve. I tillë është edhe menaxheri i njohur shqiptarë, Besim Reçi, njëherit ish-futbollisti i shtatë klubeve si Shkupi, Metalurg, Shkëndija Haraçin nga kampionati vendor dhe ato të huaja V.V.V. Papendrecht – Holandë, R.F.C. LA Calamine – Belgjikë, R.F.C. Huy – Belgjikë. Reçi në një intervistë për gazetën KOHA, rrëfen fillimet e karrierës së tij, veprimtarinë në këtë fushë dhe tregon opinionin e tij për futbollin dhe lojtarët shqiptarë.
KOHA: Çka ju shtyri që të bëheni menaxher futbolli?
REÇI: Kjo ka ndodhë krejt rastësisht pa e pas fare ndërmend të ja filloj punës si menaxher. Kam disa shokë nga Belgjika ku edhe kam jetuar për dhjetë vite dhe të njëjtit merren me këtë punë afër 20 vite. Para disa viteve ishte rasti i një futbollisti të njohur tek ne ku ata më detyruan që ta përcjell edhe ta bëj kontaktin e parë me të, dhe kështu fillova ta praktikoj punën të cilën un e kisha quajtur ndërmjetësues apo këshilltar, e jo menaxher. Të them të vërtetën, deri atëherë as që e kisha shikuar as edhe një lojë futbolli në kampionatin tonë. Kam edhe fatin që un nuk jam i varur prej kësaj pune, po e kam si hobi edhe kjo më jep hapësirë që ta praktikoj kur dhe me kë të dua un.
KOHA: Pse menaxher dhe jo trajner?
REÇI: Për nga natyra jam tip i cili nuk më pëlqen të jem i varur prej dikujt tjetër, poashtu nuk më pëlqen puna me një vend dhe orarin dua ta bëj un vet për veten time. Një ndër arsyet është edhe ajo se për momentin nuk ka kushte në vendin tonë për ta praktikuar punën e trajnerit ashtu si dua un. Kjo është thjesht mendimi im personal, por kjo nuk do të thotë se në të ardhmen nuk do ta punoj edhe si trajner.
KOHA: Cilat vende përfshijnë fushë-veprimtarinë tuaj dhe me cilat liga bashkëpunoni?
REÇI: Po normal që fushëveprimi im e përfshin Belgjikën, pastaj edhe Anglinë kur për momentin i kam edhe lidhjet shumë më direkt edhe më të forta, por për fat të keq që për nënshtetasit tonë është shumë vështirë të realizohen transferët për shkak se pothuajse është e pamundur të fitohet e drejta e punës. Pastaj është edhe Holanda , Gjermania e vendet tjera.
KOHA: Sa lojtarë janë transferuar në klube të caktuara, si rezultat i punës suaj të palodhur?
REÇI: Siç e ceka edhe më lartë, unë nuk punoj me intensitet të madh për arsye se në fillim kisha një eksperiencë të hidhur me disa lojtar, ku ishim pranë nënshkrimit dhe nuk u realizuan, por edhe për fatin që nuk varem nga kjo punë, nuk kam qenë shumë aktiv deri vitin e kaluar. Kam bërë disa lëvizje të vogla ku rezultatin sipas të gjitha gjasave e pres këtë vit. Filip Stojçevski prej Metalurgut e transferova në Vardar, Visar Musliun prej në qershor do të luajë në Vardar ( ka shumë gjasa që ky transferim të realizohet edhe tash prej në janar nëse gjejmë një gjuhë të përbashkët me klubin Renova), Sebastijan Herera Kardona, Aleksander Borha Kordoba, Besar Bushi në Rabotniçki, Alban Shabani ky lojtar që do të jetë edhe ardhmëria e futbollit tonë, i cili në moshën 10 vjeçare ishte në Mançester Siti dhe Arsenal ku me ketë të fundit domethënë Arsenalin, ka lan përshtypje shumë të mirë dhe kemi ftesë për në fillim të muajit maj të këtij viti të jetë pjesë e akademisë për dy javë. Mirëpo, nuk është vetëm se Arsenali që është interesuar për Shabanin, por edhe klube tjera si Kristal Pallas që dëshiron ta testoj atë.
KOHA: A mendoni se futbolli tek ne ka talent të rinj, të cilët premtojnë më kalimin e kohës?
REÇI: Po normal që ka talent të mëdhenj. Mendimi im është se ata janë pak punëtore edhe shumë shpejt fryhen tepër nga prindërit edhe farefiset, të cilët mendojnë se futbolli është ajo që e shikojnë në televizion dhe e lexojnë në revista të ndryshme edhe çka është edhe më keq, as nuk i pranojnë këshillat. Për këtë arsye mendimi im është që ata nëse e kanë mundësinë të dalin nga Maqedonia, atë duhet ta bëjnë sa ma herët
KOHA: Si i vlerësoni kushtet në futbollin vendor dhe sa i ndihmojnë të rinjtë që të zhvillohen?
REÇI: Kushtet janë ata të cilat i dimë të gjithë ne, ku për fat të keq janë për mjerim. Përveç Vardarit dhe FFM (për ata të cilët janë pjesë e akademisë) për momentin asnjë klub nuk i ka kushtet e duhura për një talent të ri.
KOHA: Çfarë mendoni ju se duhet të ndryshoj në futbollin vendor?
REÇI: Duhet të ndryshojnë kushtet e stërvitjeve si pikë e parë, edhe përsëris prindërit ti lënë rehat fëmijët e tyre. Nëse ndodh kjo, atëherë jam i bindur se rezultatet nuk do të mungojnë.
KOHA: Keni ndonjë bashkëpunim me dikë tjetër, apo jeni vetëm?
REÇI: Në Maqedoni punoj vetëm, por jashtë vendit kam bashkëpunim me Dirk de Vriese (agjenti i Adnan Januzaj edhe shumë tjerëve), Qerim Likaj, Roman Platz (agjencia ‘Soccer and More’) për te cilin jam edhe skaut për Ballkan, Roger Henrotay (agjenti i Mirallas, Carasco etj) edhe me disa tjerë nga Anglia dhe Belgjika.
KOHA: Sigurisht se profesionin që e ushtroni, sjell edhe gjëra të papritura. Mund të na tregoni ndonjë ndodhi që ju ka ndodhur dhe që e kujtoni ende?
REÇI: Sigurisht se po, dhe ai ka qenë rasti me Ferhan Hasanin, futbollistin aktual të KF Shkëndija. Ky ka qenë ai rasti i parë i imi që e ceka më lartë për të cilin edhe nuk kam dëshire të bisedoj, por do të tregoj se transferimi i tij te Genti ishte punë e kryer. Edhe pse në fillim isha i dëshpëruar, fitova një shkollë të madhe për të ardhmen. Do të tregoj vetëm se në këtë rast nuk kishim faj as un as Ferhani, por njerëzit të cilët u infiltruan dhe donin të përfitonin në maksimum në kurriz të lojtarit. Për fat të keq, do të ishte transferim rekord për në Maqedoni.
KOHA: A mendoni se futbolli është shndërruar në biznes duke marr parasysh se për një lojtar po ofrohen shuma të majme. A është kjo e drejtë sipas jush.
REÇI: Po sigurisht që mendoj se është pak e ekzagjeruar të harxhohen aq para për një lojtar, pavarësisht talentit që e ka.
KOHA: Si i komentoni lëvizjet e fundit të futbollistëve të njohur në Kinë?
REÇI: Mendoj se është e tepërt dhe nuk është kampionat ku futbollistët e moshës së re duhet të shkojnë siç e bëri atë Vitsel dhe disa të tjerë.
KOHA: Tani kur Kosova është e pranuar në FIFA dhe UEFA – do të tentoni të vëzhgoni edhe atje ndonjë lojtar?
REÇI: Po patjetër edhe pse para një viti kisha parë një talent Edison Kqiku, i cili ishte në prova në Gent dhe për momentin po testohet me KV Mechelen. Mendoj se ka edhe shumë talent të tjerë që po të më premton koha do ti vëzhgoj.
KOHA: Paralelisht kësaj, ka disa vite që keni hapur shkollën e futbollt “FC Albion”. Mund të na tregoni më tepër për aktivitetet e kësaj shkolle?
REÇI: Kjo shkollë ka shtatë vite që funksionon edhe prej të cilës kanë dal shumë lojtarë të cilët i kemi shpërnda nëpër klubet e Maqedonisë, ndërsa njëri prej tyre është Besar Bushi dhe Alban Shabani. I pari është 16-vjeç edhe është shumë pranë ekipit të parë të Rabotniçkit, kurse Albani është në Akademinë e FFM-së ku si lojtar i vitit 2004 është i vetmi në gjeneratën e 2003 të cilët janë të zgjedhur si më të mirët të Maqedonisë. Pos Albanit, është edhe Lavdrim Ibrahimi, i cili del po ashtu nga FC Albion.
KOHA: Meqenëse ushtrojnë shumë fëmijë, mund të presim që në të ardhmen nga kjo shkollë të del ndonjë futbollist i talentuar?
REÇI: Po kanë dal shumë futbollist të talentuar të cilët janë tash pjesë e klubeve të ndryshme të Maqedonisë , po ka edhe shumë tjerë për momentin për të cilët do të dëgjojmë shumë në të ardhmen siç janë Almir Podgradja, Tarik Kerimi dhe disa të tjerë.
KOHA: Pikërisht në këtë shkollë, para disa viteve qëndroi shkolla e futbollit Arsenal FC Elitte Academy SEE. Çfarë ndodhi në fakt – dhe a presim që ata përsëri të vijnë në Shkup pikërisht te shkolla juaj.
REÇI: Po është e vërtetë se ishin dhe e mbajtën një kamp dy ditorë, por për shkak të problemit të vizave të punës qe e përmenda më lartë e kemi ndërpre bashkëpunimin për momentin.
KOHA: Gjithashtu jeni pronar i fushës së mbyllur. Jeni i kënaqur me mënyrën se si po funksionon kjo?
REÇ: Deri sot mund të them se jam i kënaqur edhe pse kemi një konkurrencë të madhe, e cila po shtohet për çdo ditë. mirëpo ne vazhdojmë të përmirësohemi edhe të i ofrojmë kushte sa ma të mira për lojë atyre që kanë vendosur të luajnë tek ne.
KOHA: Me kaq shumë punë që keni ju, ju del koha të qëndroni pranë familjes?
REÇI: Për at arsye që un jam një njeri familjar nuk e punoj punën e menaxherit me një intensitet shumë të madh, por megjithatë edhe pse udhëtoj shumë nëpër vende të ndryshme të botës, arrij që të gjej kohë edhe ta menaxhoj mirë punën dhe familjen, e cila për mu është në vend të parë çdoherë.
KOHA: Keni dy djem – dëshiron të ndjekin hapat e babait ose?
REÇI: Po kam dy djem Edonin dhe Anikun. Sigurisht që kam dëshirë edhe ata të ndjekin hapat e babit, mirëpo në vend të parë është shëndeti pastaj edukimi, shkolla edhe më në fund përcaktimi i tyre pa forcimin tim që patjetër të bëjnë diçka pa dëshirën e tyre. Edoni ka dy vite që e praktikon futbollin dhe e bën me shumë vullnet dhe dëshirë, por ia lëmë kohës ta shohim kurse Aniku i mbush 6 vjet me 28 janar dhe është ende i vogël.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.