Driton ZENKU
Gostivar, 31 janar – Për shoferët e taksive dhe veçmas ata që punojnë në ndërrimin e natës, përballja me pasagjerë të cilët gjatë rrugës kthehen në grabitës, është kthyer në një problem shqetësues. Se është kështu, flasin edhe të dhënat që dalin nga Stacioni Policor në Gostivar. Gazeta KOHA u interesua për rastet e denoncuara brenda vitit të kaluar. Nga atje njoftuan se vetëm brenda vitit që lamë pas, në rajonin më të gjerë të Gostivarit janë evidentuar pesë raste të tilla. “Vitin e kaluar në Gostivar dhe rrethinë u paraqitën katër raste të mashtrimit, ku të mashtruar dhe të dëmtuar ishin taksistët. Në këto pesë raste, deri tani persona të panjohur kanë hyrë në taksi dhe kanë kërkuar të dërgohen deri te ndonjë vend i caktuar. Por pasi kanë arritur në destinacionin e kërkuar, nuk ua kanë paguar taksistëve shërbimin e ofruar. Dhe duke pas parasysh vlerën e vogël të parave për shërbimin e kryer, këto mashtrime nuk ndiqen me detyrë zyrtare, por si padi private”, njoftuan nga Stacioni Policor në Gostivar. Nga atje bëjnë me dije se në periudhën për të cilën flitet, janë evidentuar edhe dy vepra penale ku pjesëmarrës direkt apo indirekt kanë qenë taksistët, por që nuk kanë ndodhur brenda orarit të punës. Po ashtu, është regjistruar edhe një rast i prishjes së rendit dhe qetësisë publike, po ashtu, jashtë orarit të punës. Në shumicën e rasteve, ato gjatë rrugës dhe në momente më të përshtatshme, detyrohen të ndalojnë automjetin, t’ua japin hajnave gjësendet me vlerë dhe nëse kundërshtojnë – edhe të sulmohen fizikisht. Në rajonin e Gostivarit ka pasur raste kur taksistëve u është grabitur edhe automjeti. Një rast i ngjashëm i ka ndodhur dhe Arben Jasharit, taksist me eksperiencë rreth 20 vjeçare, i cili thotë se në të shumtën e rasteve – pasagjerët keqbërës kuptohen dhe nga bisedat apo pyetjet që të bëjnë teksa je në udhëtim. Jashari tregon për gazetën KOHA se kohë më parë i ka shpëtuar një grabitje duke i thënë klientit se po na ndjek policia. Për këtë, problemet që hasen me klientët keqbërës është i pashmangshëm. Ai kujton edhe rastin e ndodhur në vitin 2008 në rajonin e Gostivarit, ku një taksist u gjet i djegur në automjetin e tij në një vend malor të rrethinës së Gostivarit. “Përpara kemi pasur punë shumë, s’kemi qenë të rrezikuar…, por tani gjatë punës natën, jemi shumë të rrezikuar se ndodhë me na marrë edhe automjetin, por edhe të sulmohemi fizikisht. Më ka ndodhë kur më kanë kërkuar ti dërgoj në Kërçovë. Jemi marrë vesh 40 euro për të dyja drejtimet. I lash në vendin e duhur, por ato nuk u kthyen më”, tha ai, duke shtuar që ka pasur edhe raste që kolegë të tij taksistë madje kanë qenë të rrezikuar edhe me jetë gjatë orarit të punës. Nga Policia e Gostivarit u bëjnë thirrje të gjithë atyre që ushtrojnë profesionin e taksistit, në rast se rrezikohen nga klientët e tyre, të paraqesin rastin në polici në kohën më të përshtatshme me qëllim që policia të mund të intervenojë sa më shpejt që është e mundur. Në rajonin e Gostivarit llogaritet të ketë rreth 300 taksistë. Aktualisht rreth 80 firma me rreth 150 automjete janë të regjistruara dhe veprimtarinë e tyre e ushtrojnë në formë legale. Me vendim të Këshillit Komunal të Komunës së Gostivarit, numri për këtë lloji veprimtarie është kufizuar në 200 automjete taksie.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.