Fisnik PASHOLLI
Shkup, 6 shkurt – Gjithnjë e më tepër rritet pabarazia ekonomike në Maqedoni, por edhe në të gjitha shtetet e tjera të tranzicionit, shkruan gazeta KOHA. Edhe 25 vite pas daljes nga komunizmi, njerëzit edhe më tej janë prirë ndaj populizmit që kërcënon reformat dhe rritjen e mëtejshme ekonomike. Tranzicioni nga ekonomia e planifikuar në atë të tregut, nuk ka qenë çdo herë i lehtë. Për çmimin e lartë social, politik etj, të reformave të ndryshme, flet edhe fakti se njerëzit e lindur në fillim të tranzicionit në mesatare janë për një deri dy centimetra më të ulët se ato të lindur para dhe pas kësaj periudhe. Raporti i Bankës Evropiane për Rindërtim e Zhvillim “Tranzicioni për të gjithë: mundësitë e njejta në botën jo të barabartë”, tregon se nga fillimi i tranzicionit shtetet e Ballkanit perëndimor kanë avancuar në afrimin ndaj ekonomive më të zhvilluara sipas të ardhurave, standardit jetësor dhe uljes së varfërisë, por megjithatë njerëzit nuk e ndjejnë çdo herë një gjë të tillë. Vetëm pak njerëz në shtetet postkomuniste kanë ndier rritjen e të ardhurave mesatare në vendet e tyre, ndërsa në disa shtete situata me shpërndarjen e të ardhuarave është edhe më e keqe se në vitin 1989. “Edhe pse jobarazia në të ardhura në rajon është e matur sipas standardeve ndërkombëtare, megjithatë pasuria në shtetet e tranzicionit është më shumë e koncentruar midis të pasurve se sa ekonomitë e krahasueshme në botë. Gjithashtu, njerëzit në shtetet e tranzicionit ndajnë mendimin me shumicë se niveli i jobarazisë është i lartë dhe se rritet edhe më tej” , tregon analiza e BERZH.
Perceptimi i gabuar
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim është shprehur së fundmi se pavarësisht se statistikat zyrtare flasin për rënie të pabarazisë, qytetarët perceptojnë të kundërtën. Dhe sipas BERZH-it, kjo do të thotë shumë sepse ajo çka mendojnë njerëzit ka më tepër rëndësi se sa statistikat zyrtare. Sipas zyrtares Françeska Dalla Pozza të BERZH, “ky tregues vlen shumë. Perceptimet e publikut janë më të rëndësishme, sesa ajo që tregojnë statistikat zyrtare në formimin e besimit të individëve, në formimin e institucioneve ekonomike dhe politike, por mbi të gjitha ato ndikojnë mënyrën sesi votojnë qytetarët”. Në raport që shyrton shkaqet që qëndrojnë pas mundësive jo të barabarta për qytetarët si rrethanat familjare, gjinia dhe lokacioni gjeografik, propozohet sajimi i masave që do të kenë për qëllim zgjidhjen e sfidave të jobarazisë si dhe problemet e varfërisë dhe koncentrimit të tepërt të pasurisë. Konçentrimi i tepërt i pasurisë mund të sjellë deri tek ngadalësimi i punës së institucioneve që përkrahin ekonominë e tregut që sjell ngadalësimin e rritjes ekonomike. Tatimimi i pasurisë mund të jetë metodë efikase për shrpërndarjen fiskale si dhe mënyrë e grumbullimit shtesë të mjeteve vlerëson BERZH. Ralph de Haas, drejtori i departamentit të BERZH për hulumtime, thekson se percepcioni për rritjen e jobarazisë dhe mungesën e drejtësisë mund të kërcënojnë përparimin dhe të ngadalësojë proceset në dëm të atyre që përjashtohen. “Është shënuar sukses i madh në shoqëritë postkomuniste dhe këto ekonomi të tregut në mesatare kanë arritur rritje ekonomike mjaft të madhe. Por, nga ana tjetër është evidente se nuk kanë pasur të gjithë përfitime nga prosperiteti i realizuar. Gjithashtu, raporti tregon se tranzicioni i shoqërisë është një proces i dhimbshëm deri në atë masë sa që ndikon edhe në pamjen fizike të njerëzve . Njerëzit e lindur ne fillim të periudhës së tranzicionit kur do të rriten dhe do ti mbushin 18 vjet, në mesatare janë një deri dy centimetra më të ulët”, thekson De Haas. Kur bëhet fjalë për mundësitë jo të barabarta që pengojnë njerëzit që më mirë që munden të shfrytëzojnë shkathtësitë e tyre apo të realizojnë idetë e tyre të sipërmarrjes , ato janë akoma shumë më të larta se në shtetet e Evropës perëndimore. Mundësitë më të vogla mund të ndikojnë negativisht në rritje ekonomike afatgjate dhe të kenë për pasojë jobarazi konstante të madhe në të ardhura dhe në pasuri. Mund të ndikojnë edhe në humbjen e besimit në institucionet më të rëndësishme shtetërore.
Maqedonia e 16-ta
Raporti tregon se pas periudhës fillestare të varfërisë në fillim të viteve 90-të , ish shtetet komuniste me më pak apo më shumë sukses kanë filluar të rrisin standardin jetësor të qytetarëve të tyre dhe të arrijnë standardet e ekonomisë së tregut. Rezultatet më të mira në rritjen e të ardhurave, sipas BERZH, i kanë shënuar Turkmenistani, Polonia, Bjellorusia dhe Armenia. Pas tyre pasojnë Sllovakia dhe Uzbekistani. Nga shtetet e rajonit sipas perfomancave ekonomike, është Sllovenia ku të gjthë të punësuarit kanë më shumë të ardhura se në vitin 1989. Pas saj vjen Kroacia që ndodhet në vendin e 14-të nga 26 shtete dhe ku dhjetë përqrind e popullatës jeton më keq se në 1989, ndërsa për 50 përqind të popullatës të ardhurat nuk rriten sa duhet shpejt. Maqedonia gjendet në vendin e 16-të ku 60 përqind e popullatës ka paga më të ulëta se në 1989.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.