Urim HASIPI
Tetovë, 30 mars – Propozim ligji i ri për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi që buron nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, ishte tema e debatit publik që është mbajtur në Universitetin e Tetovës, nën organizim të Fakultetit Juridik pranë këtij Universiteti e në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale si dhe OSBE-në, shkruan gazeta KOHA. Sipas profesor Bekim Kadriut, nga Komisioni për mbrojtjen nga diskriminimi, hartimi i një Propozim ligji të ri për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi, ishte i nevojshëm për shkak se Ligji aktual për mbrojtje nga diskriminimi, gjatë zbatimit janë konstatuar disa mangësi, disa boshllëqe të ligjit, të cilat propozimi i ri mundohet që t’i shmang, përjashtojë dhe t’i plotësojë.
“Ligji aktual ekziston tanimë gjashtë vjet dhe, natyrisht, gjatë zbatimit të këtij ligji janë konstatuar disa mangësi të cilat ky Propozim ligj i ri mundohet që t’i shmang, përkatësisht t’i përjashtojë. Në zbatimin e ligjit aktual ka pasur më tepër mangësi, si në aspektin e definimit të formave të ndryshme të diskriminimit. Ka pasur shumë kritika që nuk është përmendur orientimi seksual dhe identiteti gjinorë, po ashtu ka pasur mangësi në lidhje me përjashtimet nga diskriminimi. Ky draft i ri i ligjit, të cilin sot e diskutojmë, natyrisht është në një fazë preliminare. Sot organizohet një debat ekspertësh lidhur me këtë draft të ri të ligjit, pra ky draft i ri mundohet që t’i shmang këto defekte të ligjit aktual, definon bazat diskriminuese me një qartësi më të madhe, definicionet e diskriminimit, po ashtu i definon me një saktësi dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare, po ashtu shtrëngon edhe kriteret për anëtarësim në Komisionin për mbrojtje nga diskriminimi dhe mandatin e këtij komisioni”, tha Kadriu.
Qëllimi i kësaj tribune është sjellja e argumenteve të reja nga ana e panelistëve të debatit, me qëllim që Propozim ligji i ri të jetë më i përshtatshëm dhe të kontribuojë në mënyrë më adekuate që të kemi sa më pak dallime, nënvizoi në fjalën e tij profesor, Jusuf Zendeli.
“Të gjithë e dimë se çështja e sferës së diskriminimit është një nga çështjet e cila e tangon botën bashkëkohore, edhe përkundër pranimit të pluralizmit politik, përkundër pranimit të demokracisë parlamentare, trajtave të reja të qeverisjes. Përsëri mbetet që bota bashkëkohore ,fatkeqësisht, të ballafaqohet me çështjen e diskriminimit. Të gjitha këto çështje që i përcakton në mënyrë taksative Ligji për pengimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi në Republikën e Maqedonisë që duhet të miratohet në Kuvendin republikan, natyrisht që do të diskutohen nga panelistë nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, Fakulteti Juridik dhe OSBE-ja. Me këtë rast besoj se kjo do të jetë një tribunë, e cila do të sjellë argumente të reja me qëllim që edhe ky Propozim ligj të jetë më i përshtatshëm dhe të kontribuojë në mënyrë më adekuate që të kemi sa më pak dallime dhe të themi që dallimet të mbeten si prioritet e jo si sferë diskriminimi”, tha Zendeli. Ndryshe, në këtë tribunë, gjegjësisht debat publikë, është theksuar edhe ajo se në Republikën e Maqedonisë më tepër kemi të bëjmë me raste të diskriminimit etnik, raste të diskriminimit në bazë të përkatësisë politike, raste të diskriminimit në bazë të gjinisë, duke mos përjashtuar edhe raste dhe lloje të tjera të diskriminimit. (koha.mk)