Zejnulla VESELI
Shkup, 7 gusht – Edhe përkundër krizës së rëndë ekonomike në vend, qytetarët e Maqedonisë kapitalin e paktë që e kanë – nga muaji prill e deri në fund të muajit korrik e kanë investuara në blerjen e banesave, shtëpive dhe tokave bujqësore, shkruan gazeta KOHA. Për periudhën prill-korrik të vitit 2017, në gjithë territorin e Maqedonisë janë shitur pasuri të patundshme në vlerë prej 65.5 milionë euro dhe për të njëjtën periudhë janë marrë me qira hapësira të patundshme prej 2.458.191 metra katrorë ose në vlerë të përgjithshme prej 200 mijë eurosh, tregojnë të dhënat e fundit të Agjencisë për Kadastër. Sipas statistikave të Agjencisë për Kadastër, gjatë këtyre dy muajve vërehet qartë se qytetarët e Maqedonisë më së shumti kanë blerë tokë bujqësore me 51 për qind, pastaj 18 për qind janë transaksione të kryera për blerje të banesave, 15 për qind e transaksioneve janë për blerje të tokës ndërtimore, 11 për qind për shtëpi dhe 2 për qind e transaksioneve shkojnë për marrje me qira të pasurive të patundshme. “Gjatë periudhës prill-korrik janë regjistruar gjithsej 3.005 transaksione dhe nëse do ta krahasonim me kuartalin e parë të këtij viti, kemi 415 transaksione më shumë që njëherësh tregon se kemi një rritje të vogël në tregun e pasurive të patundshme sa i përket shitblerjeve për këtë vit”, thuhet në raportin e fundit të Agjencisë për Kadastër. Të dhënat statistikore të Agjencisë për Kadastër tregojnë se po vazhdohet me ekspansionin ndërtimor edhe përkundër asaj se kemi një numër të madh të godinave ndërtimore të gatshme në Maqedoni, për të cilët ka shumë pak interesim për t’i blerë. Përfundimisht me muajin korrik të këtij viti, sipas Agjencisë për Kadastër, në gjithë territorin e Maqedonisë ka 3663 banesa të gatshme për banim, të cilat ofrohen për shitje në tregun e pasurive të patundshme. Gjithashtu, për këtë vit janë dhënë 9973 lista për shënimin e tokës për ndërtim që do të thotë se këto objekte janë në fazë ndërtimi dhe të njëjtat së shpejti do të gjenden në shitje në tregun pasurive të patundshme. Për dalim nga tre muajt e parë të këtij viti, ka rritje të banesave dhe atë për 1196 banesa janë në ndërtimin e sipër apo janë në fazën përfundimtarë të ndërtimit. “Në kuartalin e dytë të këtij viti janë shitur gjithsejtë 139 banesa, që është për 88 banesa më shumë se në tre mujorin e parë të këtij viti e që njëherësh do të thotë se numri i banesave të reja po kënaq kërkesat e konsumatorëve që dëshirojnë të blejnë banesa të reja. Më shumë banesa të shitura ka në Komunën Aerodrom të Shkupit dhe për periudhë prej dy muajve janë blerë 55 banesa, ndërsa në anën tjetër më shumë shtëpi janë blerë në Komunën e Prilepit gjithsej 39 shtëpi, ku njëherësh në këtë komunë janë shitur më shumë hapësira afariste dhe at 7 hapësira afariste. Më shumë shitje të pasurisë së patundshme të llojit tokë bujqësore, gjegjësisht 73 shitje janë realizuar në Vinicë, si dhe 29 shitje të tokës bujqësore janë kryer në Kërçovë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.