Shkup, 3 gusht – Ligji për gjuhën shqipe do të miratohet në 100 ditët e para të Qeverisë dhe i njëjti do të dërgohet në Komisionin e Venedikut, ka përsëritur të enjten ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, njëherësh sekretar i përgjithshëm i LR-PDSH-së, shkruan gazeta KOHA. “Ashtu siç kemi theksuar para futjes në Qeveri, flas për LR-PDSH, e përsërisim dhe tani. Që ditën e parë kur u emërova ministër dhe hymë në Qeveri, e kemi thënë dhe e themi sërish se ligji për gjuhën shqipe do të kalojë në 100 ditët e para të Qeverisë”, tha Taravari. Ai ka potencuar se nuk ka mospajtime mes partnerëve qeveritar, ndërsa është shprehur se askush nuk do të braktis Qeverinë, pasi tashmë janë të koordinuar rreth kësaj çështje. Sipas Taravarit, nëse LR-PDSH ka përgjegjësi për 36.000 vota shqiptare, përgjegjësia më e madhe bie edhe mbi LSDM-në, e cila ka më shumë vota shqiptare se LR-PDSH. “Kështu që, ata sikurse ne kanë obligim… të mos flasim për BDI-në, të cilët pothuajse dy herë më shumë obligim se ne. Konsiderojmë se kjo do të kalojë. Ka pajtim tek të gjitha partnerët e koalicionit që gjuha shqipe të kalojë në 100 ditët e para”, ka shtuar ministri Taravari. (koha.mk)