Policia britanike e ka ndaluar shkëmbimin e informatave të ndjeshme të inteligjencës me SHBA në lidhje me hetimin e sulmit në Mançester. Britania e Madhe dhe SHBA më herët kanë lidhur marrëveshje mbi sigurinë, e cila në mes tjerash, nënkupton shkëmbimin e të dhënave dhe informatave të inteligjencës.
Mirëpo, pasi që janë paraqitur fotografitë nga vendi i ngjarjes në mediet amerikane, si dhe informatat në lidhje me kryesin e aktit, zyrtarët britanik kanë shqyrtuar mundësinë e kufizimit të shkëmbimit të informatave me qëllim të mbrojtjes së hetimit, shkruan BBC. “The New York Times” ka publikuar fotografit me analizë në detaje dhe me imazhin e skenës së sulmit në Arenën e Mançesterit.
Gazeta amerikane këtë e ka publikuar shumë para se policia e Mançesterit ka konfirmuar informatat mbi kryesin dhe rrethanat e sulmit. Pritet që kryeministrja britanike Therese May të paraqet këtë çështje sot në Bruksel në bisedën me presidentin amerikan Donald Trump në samitin e NATO’s.
Gazeta pretendon se qeveria është “e tërbuar” për shkak të detajeve të cilat kanë rrjedhur dhe të cilat janë publikuar nëpër mediet amerikane në lidhje me hetimin e sulmit në Mançester, në të cilin kanë humbur jetën 22 persona.
Ministrja britanike e punëve të brendshme Amber Rudd ka deklaruar: “Policia britanike ishte shumë e qartë se dëshiron të kontrollojë rrjedhën e informatave në mënyrë që të mbrojë integritetin e operacionit… Kështu që është shumë irrituese kur informatat vijnë nga burimet tjera dhe unë isha plotësisht e qartë për miqtë tanë që kjo nuk guxon më të përsëritet”. E pyetur e ka rrezikuar hetimin pushteti amerikan, Rudd është përgjigjur se “nuk do të kisha shkuar aq larg”.