Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave Lupço Nikollovski, zëvendësministri Vllaste Dimoviq dhe përfaqësuesit e Grupit të sektorit për grurë pranë MBPEU, sot janë takuar me prodhuesit e grurit dhe të elbit. Në takim, informojnë nga Kabineti i Nikollovskit, janë shqyrtuar të gjitha opsionet dhe mundësitë si të lehtësohet korrja e sivjetshme e keqe. Bujqit kanë ofruar disa masa të cilat sipas tyre do t’ju ndihmojnë në mbulimin e dëmeve.
“Ministri Nikollovski porositi se në mënyrë të detajuar do të shqyrtohen të gjitha kërkesat e bujqve dhe në kohë sa më të afërt do të sillen masa adekuate të cilat do të japin efekt më të mirë dhe do t’ju dalin në ndihmë prodhuesve të grurit dhe elbit, por edhe masa të cilat do të mund së shpejti të realizohen. Masat e ndërmarra do të varen nga situata në terren”, kumtoi MBPEU. Sivjet janë mbjellë 76.400 hektarë grurë, nga të cilët pritet prodhimtari prej 170.000 deri në 190.000 tonë, ndërsa në vend ka 63 blerës të regjistruar.
Sipas informacioneve në terren, situata me të ardhurat nga grurit në çdo rajon është ndryshe. Korrjet janë nga fundi dhe sipas informacioneve të para, të ardhura më të ulëta ka në rajonin verilindor prej 1.000 deri në 1.500 kilogram për një hektar. Ministria e Bujqësisë është në kontakt të vazhdueshëm edhe me blerësit e grurit me qëllim që të gjindnet harmonizim i dallimeve në çmimin e blerjes që e kërkojnë fermerët dhe atë që e ofrojnë blerësit.