Urim HASIPI
Kryetari i LR-PDSH-së, Zijadin Sela, 25 ditë pas ngjarjeve të dhunshme në Kuvendin e Maqedonisë, ka dalë me një pres konferencë me gazetarët në selinë e partisë në Tetovë. Ai fillimisht falënderoi të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë gjithë kohës sa kurohej në spital dhe kanë vizituar atë, por njëkohësisht ka kërkuar ndjesë për të gjithë ata që nuk arriti t`i takojë. Sela vlerëson se sulmi ndaj tij ishte atentat ndaj kërkesave të shqiptarëve të Maqedonisë.
“Në lidhje me ngjarjet që ndodhën në Kuvend, vlerësoj që ishte diçka që ne e kemi bërë si subjekt politik. Unë si lider i kësaj partie, jam munduar që nevojat e shqiptarëve t`i artikuloj politikisht. Pra ngjarjet që ndodhën më 27 prill ishin atentat ndaj nevojave që kanë shqiptarët këtu në Maqedoni. Ishte atentat ndaj artikulimit politik të këtyre nevojave. Gjithçka që kemi bërë ne si subjekt politik dhe unë si lider, jam munduar që nevojat e shqiptarëve t’i artikuloj politikisht. Prandaj, ngjarja që ndodhi më 27 prill, ishte atentat ndaj nevojave të cilat shqiptarët i kanë këtu në Maqedoni, ishte atentat ndaj artikulimit politik të këtyre nevojave që ne si Lëvizje për Reforma i kemi bërë gjatë gjithë kësaj periudhe. Neve na vranë më 27 prill dhe u ringjallëm përsëri më 27 prill. Ne do të vazhdojmë që nevojat e shqiptarëve këtu në Maqedoni t’i artikulojmë politikisht akoma më fuqishëm“, deklaroi në pres konferencën e parë për media pas dhunës në Kuvend, kreu i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela.
Ndërkohë Sela edhe njëherë përsëriti qëndrimin se ai nuk do të heq dorë nga Deklarata e përbashkët e partive politike shqiptare Më tej, ai ka thënë se nuk janë me rëndësi postet ministrore, por reformat.
“Aleanca për Shqiptarët çdo herë ka qenë për qeverisje të re, qeverisje të reformuar dhe qeverisje në shërbim të qytetarëve dhe jo rastësisht thashë për qeverisje jo për qeveri. Jemi për qeverisje të re dhe qeverisja e re do të ketë përkrahjen tonë. Pak rëndësi ka se a do të jemi ne fizikisht prezent pjesë e qeverisë ose jo, sepse për këtë do të duhet që organet e partisë të marrin një vendim, por qeverinë e reformave do ta përkrahim ashtu siç do të përkrahim dhe do të jemi katalizatori kryesorë i realizimit të interesave të shqiptarëve në këtë qeverisje të re”, tha Sela.
Ai ka mohuar se tashmë resori Shëndetësisë do t’i takojë Aleancës për shqiptarët. ”Më shumë na interesojnë çështjet tematike se sa kush do të jetë apo nuk do të jetë ministër në qeverinë e re”, theksoi Sela. I pyetur për garancat që ka dhënë lideri i LSDM-së, Zoran Zaev për presidentin Ivanov, Sela tha se ai nuk ka nënshkruar asnjë garancë.
”Unë nuk kam nënshkruar asnjë lloj garancie për ndonjë president dhe nuk do të nënshkruaj asnjë dokument që ai kërkon. Nuk do të lejojmë që askush të na tregojë se si duhet të mendojmë”, u shpreh Sela në pyetjet e gazetarëve.
Ndërkaq, ka thënë se do të kërkojë përgjegjësi politike për rastet e montuara si “Sopotin”, zbardhjen e procesit të montuar politik “Monstra” dhe shumë proceseve tjera.