Një burrë suedez ka deklaruar se është personi i parë në karrige me rrota në botë i cili ka mbërritur në Polin e Jugut. Aron Anderson thotë se e ka përmbushur aktin të mërkurën pas 21 dite rrugë në një karrige për persona me aftësi të kufizuara mbi skija. Ai ka folur për një radio në Suedi, ku ka thënë se temperaturat kanë mbërritur deri në -30 gradë celsius, përgjatë 640 kilometrave. Ai ka thënë që ekspedita e tij ka arritur të mbledh 5 milionë dollarë për të luftuar kancerin tek fëmijët në Suedi. Në uebsajtin e tij, Anderson ka shpjeguar se ai ka pasur kancer në pjesën e prapme në moshën 7 vjeçare dhe ka qenë në karrige me rrota që atëherë.