PËRBËRËSIT:
1 pako me petë byreku
4-5 dardha
3 lugë me pikëlza çokollate të zezë. Në mungesë mund të grini trashë 1 pllakë çokollate.
2 lugë rrush të thatë
1 lugë stika pishe
1 lugë bajame ose lajthi të grira trashë për sipërfaqen
pak gjalpë i shkrirë
2-3 lugë sheqer kaf në varësi se sa të ëmbël e doni (për mua që s’e kam qejf shumë të ëmblën një lugë brenda mjaftoi sepse luga tjetër na duhet për spërkatjen sipër)
lëngu i 1 limoni
pakëz kanellë
biskota të mbetura rreth 2 duar ose mund të përdorni dhe biskota me çokollatë
1 lugë qumësht për të lyer sipërfaqen
PËRGATITJA: Qëroni dardhët dhe pritini në copa të vogla. Vendosini të rrinë të spërkatura sipër me lëngun e gjysmë limoni që mos të nxihen ndërkohë që ne përgatisnim përbërësit e tjerë. Vendosni dhe rrushin e thatë të pushojë në ujë. Thërrmoni biskotat në copëza të mëdha dhe thekini paksa në një tigan që nuk ngjit që të bëhen krokante dhe në këtë mënyrë gjatë pjekjes do na thithin dhe lëngun që do lëshojnë dardhat. Tani kulloni dardhat nga lëngu që kanë lëshuar, vendosni në një tas dhe përziejini me copëzat e çokollatës, stikat e pishës, rrushin e thatë, 1 lugë sheqer, pakëz kanellë dhe 2 lugë gjalpë të shkrirë. Përziejini. Shtroni nja 10 petë byreku të lyera me gjalpë ndërmjet tyre. Spërkatni fundin në mes me biskota dhe pjesën që mbetet nga biskotat përziejeni me dardhën dhe çokollatën. Vendosni në mes të petëve mbushjen me dardhë dhe palosini petët një nga një duke e mbyllur në formën e një pakoje. Kthejeni palosjen përmbys, lyeni sipërfaqen e tij me pak gjalpë të përzierë me qumësht, spërkateni me sheqerin e mbetur dhe bajamet e grira ose lajthitë. Vendoseni të piqet në furrën e nxehur më parë në 180°C derisa të theket mirë sipër.