Shkup, 9 shkurt – Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë përshëndet vendimin e Gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut në Strasburg për rastin “Selmani dhe të tjerët kundër Republikës së Maqedonisë”, lidhur me ngjarjet e 24 dhjetorit të viti 2012, kur gazetarët dhunshëm u dëbuan nga galeria e Parlamentit të Maqedonisë. Vendimi i Gjykatës Evropiane konstaton shkeljen e dy të drejtave të garantuara me Konventën evropiane për të drejtat e njeriut edhe atë: të drejtën e lirisë së fjalës i nenit 10 dhe e drejta për gjykim të drejtë i nenit 6 të Konventës. “Ky vendim është i pari i Gjykatës Evropiane ku konstatohet shkelja e lirisë së fjalës dhe është shumë i rëndësishëm për demokracinë dhe sundimin e të drejtës në Maqedoni. Njëkohësisht, vendimi është edhe fitore e Shoqatës së Gazetarëve, e cila dëshmoi se beteja për drejtësi nuk duhet të pushojë kurrë. Drejtësia vonon, por nuk harron! Vendimet e këtij lloji kontribuojnë që në Maqedoni të krijohet kulturë juridike dhe të afirmohet respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Ajo është edhe dëshmi se institucionet e vendit dështuan në plotësimin e detyrimeve të tyre themelore për të mbrojtur dhe promovuar të drejtat e njeriut”, thuhet në komunikatën e SHGM-së drejtuar mediave. Në ndërkohë, detajet tjera lidhur me vendimin e gjykatës do të prezantohen në konferencën për shtyp, e cila do të mbahet nesër (10.02.2017) në ora 11, në Klubin e Gazetarëve.