Bukuresht, 29 dhjetor – Partia Socialdemokrate rumune (PSD), e cila fitoi në zgjedhjet e paradokohshme parlamentare në Rumani, vendosi ta propozojë 43-vjeçarin Sorin Grindeanu për kandidat të ri për kryeministër, pasi që presidenti Klaus Johanis të martën e refuzoi propozim e saj fillestar që mandatare për përbërjen e qeverisë së re të jetë Sevil Shajde. “Vendosëm të mos e shtyjmë vendin në krizë të re politike dhe për këtë arsye zgjidhëm kandidat të ri për kryeministër”, deklaroi mbrëmë lideri i PSD-së, Liviu Dragnea, pas mbledhjes së kryesisë më të lartë partiake. Kandidati i ri për mandatar për përbërje të qeverisë së re rumune Grindeanu është ish-ministër i Komunikimeve të Rumanisë. Presidenti rumun Johanis të martën e refuzoi propozimin fillestar të PSD-së për mandatarin, me arsyetimin se “i vlerëson me kujdes argumentet për dhe kundër dhe ka vendosur të mos e emërojë Sevil Shajde” në funksionin e propozuar. Ai me atë rast i bëri thirrje PSD-së dhe partnerit të saj të koalicionit, Aleancës së liberalëve dhe demokratëve (ALDE) të parashtrojnë propozim të ri për kryeministër të ardhshëm. PSD dhe ALDE së bashku kanë 250 deputetë në dhomën e ulët 465-anëtarëshe të Parlamentit rumun, që u siguron shumicë stabile parlamentare. Nëse do të ishte zgjedhur kryetare e Qeverisë, Shajde do të ishte gruaja e parë kryeministre e Rumanisë dhe pjesëtarja e parë e komunitetit mysliman në vend që do ta kryente funksionin e kryeministres.