Bujar KURTAJ
Shkup, 12 janar – Me insistim të seleksionuesit Bllagoja Milevski, trajneri i mirënjohur shqiptar Agim Sopi do të pjesë e kontingjentit të përfaqësueses së Maqedonisë deri 21 vjeç në Kampionatin Evropian, i cili këtë vit do të mbahet në Poloni. Këtë lajm për gazetën KOHA e konfirmoi edhe vet Sopi, i cili u shpreh i kënaqur që ëndrra e tij që të jetë pjesë e një evenimenti siç është Kampionati Evropian në Poloni, do të realizohet.
“Pas vendimit që të jap dorëheqje nga posti i ndihmës seleksionuesit të përfaqësueses së Maqedonisë deri 21 vjeç, më ka telefonuar vet seleksionuesi Milevski, duke më ofruar që të jem pjesë e kontingjentit të ti deri në evropianin në Poloni. Ideja e tij ishte që të jem vetëm për ndeshjet, jo edhe në fazën përgatitore. I thash që njëherë duhet të bisedoj me drejtuesit e skuadrës së Landskrona dhe më pas ti tregoj se do të mund ta pranojë ftesën e tij ose jo. Pas takimit që kisha me drejtuesit e klubit, ata nuk më penguan dhe më lejuan, kështu që këtë ia kumtova edh Milevskit. Që donë të thotë se mbetem ndihmës seleksionues vetëm për Kampionatin Evropian ndërsa më pas përfundimisht largohet nga ky post”, bën të ditur trajneri shkupjan.
Ndryshe Sopi thotë se është befasuar nga ky vendim i Milevskit. “Sinqerisht u befasova kur në telefon më mori vetë Milevski dhe kërkoi nga unë që ti ndihmoj atij në Kampionatin Evropian. Në fakt, ëndrra ime ka qenë që të jem pjesë e këtij suksesi historik dhe të marr pjesë në një eveniment siç është Kampionati Evropian, por aso kohe kur vendosa të largohem, arsyet i kisha të forta, sepse duhej që të mungojë katër javë te Landskrona, gjë të cilën nuk mundesha t’ia lejoj vetes dhe nuk ishte profesionale nga ana ime. Tani që kur gjërat ndryshuan, jam i lumtur që do jem edhe unë pjesë e kontingjentit në evropianin në Poloni”, shtoi më tej Sopi.
Në fund, Sopi shpalosi edhe ambiciet e Landskronas këtë sezon. “Sezonin e kaluar përfunduam në pozitën e tretë, ndërsa këtë vit jemi konkurrent numër një për tu plasuar në një rang më lartë. Të hënën kemi filluar përgatitjet dhe jemi përforcuar me disa lojtar kualitativ. Shpresojmë se edhe këtë synim që e kemi, në fund bashkërisht do ta realizojmë”, përfundoi Agim Sopi. Kujtojmë, Agim Sopi në vitin 2014 u emërua në pozitën e ndihmës-seleksionuesit të Maqedonisë deri 21 vjeç, me të cilën siç e dimë arritën të plasohen në Kampionatin Evropian në Poloni i cili do të mbahet këtë verë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.