Rigobert Song, legjendë e përfaqësueses së Kamerunit, ish-futbollist i Liverpool dhe West Ham në Premier League, tashmë trajneri i kombëtares kamerunase, njëherësh xhaxhai i ish-yllit të Barcelonës, Alex Song, ka treguar gjatë një interviste për “L’Euqipe” se po të mos kishte qenë për qenin e tij, ai do të kishte vdekur nga infarkti. Episodi ka ndodhur tetorin e kaluar, kur ish-kapiteni i Kamerunit, njëherësh rekordmen për numrin e ndeshjeve të luajtura me luanët e egër, plot 137 përfaqësime në harkun kohor të 17 viteve, pësoi një atak në zemër ndërkohë që ishte në shtëpinë e tij në Yaoundé.“Falë qenit tim jam ende gjallë. Fatmirësisht kur pësova infarktin u rrëzova dhe rash në anë, gjithashu nuk gëlltita as gjuhën, përndryshe do të isha mbytur. Në atë moment hyri në skenë shpëtimtari im. Nisi të lehë aq fort sa që komshiu im u shqetësua dhe kur konstatoi që unë nuk përgjigjesha ka njoftuar ambulancën”, tregon Song, i cili me të mbërritur autoambulanca, u shtrua në spital me urgjencë dhe më pas u transportua me avion drejt një spitali në Paris. Pas disa ditësh u zgjua nga koma dhe situata, gradualisht iu rikthye normalitetit. Nëse sot, Song mundi të tregojë këtë histori, realisht është meritë e qenit të tij.