Tetovë, 5 shkurt – Fshati Sllatinë brenda tre muajve po përcjell viktimën e dytë nga aksidentet tragjike, shkruan gazeta KOHA. Të dy të rinjtë akoma nuk kishin mbushur 18 vjet. Kësisoj, të shtunën mbrëma, në klinikën e Shkupit, ka ndërruar jetë 17 vjeçari Egzon Zeqiri, nga fshati Sllatinë, i cili para 11 ditësh u shkel nga një veturë Audi, e drejtuar nga 28 vjeçari B.S., po ashtu nga ky fshat. Ai nuk arriti t`u mbijetojë plagëve rënda, të cilët i kishte marrë në kokë dhe pas qëndrimit në gjendje kome në Klinikën e Shkupit, ka ndërruar jetë. Aksidenti tragjik ndodhi në afërsi të hyrjes për në fshatit Sllatinë. Egzoni ishte njëri prej dy djemve në familjen Zeqiri, ndërsa po ashtu ishte nxënës i shkollës së Mesme të Bujqësisë në Tetovë. Ai varroset pasditen e kësaj të diele në varrezat e fshatit Sllatinë të Komunës së Tearcës.
Përndryshe, gati se për një periudhë prej tre muajve ky është rasti i dytë tragjik që jetën e humbin të rinj nga ky fshat. Pikërisht më 11 dhjetor, jetën e kishte humbur në një aksident po ashtu një 17 vjeçar tjetër nga ky fshat. Kësisoj rruga Tetovë-Jazhincë vazhdon të jetë fatale jo vetëm për banorët e këtij fshati, por për të gjithë banorët që gravitojnë në këtë rrugë. Nga Policia e Tetovës thonë se duhet më shumë kujdes edhe nga ana e banorëve edhe nga ana e vozitësve. Sipas raportit të fundit të policisë, në muajin shkurt të këtij viti në Tetovë dhe rrethinë gjithsej janë regjistruar 56 aksidente komunikacioni ose 12 më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë kohore të vitit të kaluar.
“Shkaqet më të shpeshta të këtyre aksidenteve në periudhën për të cilën bëhet fjalë janë mos përshtatja e shpejtësisë me kushtet në rrugë, gjegjësisht vozitja e shpejtë, veprimet e pa rregullta të vozitësve në komunikacion, si dhe mos respektimi i përparësisë së kalimit. Në muajin e kaluar, gjithashtu janë regjistruar edhe 8 dalje nga rruga, parasegjithash si pasojë e mos përshtatjes së shpejtësisë me kushtet në rrugë, gjegjësisht vozitjes së shpejtë”, thonë për KOHA nga Policia e Tetovës. (U.H)