Fisnik NUHIU
Enver Sllamniku, Legjenda e basketbollit shqiptar, është një personalitet frymëzues dhe me një filozofi interesante për sportin. Që në vegjëli ai do të kuptojë se basketbolli do të jetë fati i tij, i cili do të çojë në shumë beteja. Ata, përkatësisht gjeneratat e vjetra, për Enverin flasin me pietet të madh, kurse gjeneratat e reja ndoshta edhe nuk kanë dëgjuar për të, sepse ai si individ është modest dhe aspak i imponueshëm. Duke mos i lënë anash mësuesit e tij të shumtë që ndikuan në shtimin e dashurisë ndaj këtij sporti, megjithatë ai veçon legjendën e sportit shqiptar, të madhin Mentas Alajbegu, i cili ndikoi që Enveri të bëhet i njohur në të gjitha hapësirat e ish Jugosllavisë. Ndonëse nga basketbolli aktiv ai është ndarë që moti, akoma mbetet basketbollisti i vetëm shqiptarë që në një ndeshje ka arritur të shënojë mbi 50 pikë. Edhe si trajner Enveri ka numëruar suksese të mëdha. Një nga këto suksese ishte me reprezentacionin e Kosovës për kadet, ku arriti të zë vendin e dytë në kampionatin e ish-Jugosllavisë, duke eliminuar reprezentacionet e Malit të Zi, Kroacisë dhe Bosnjës. Në vazhdim të intervistës, me Enver Sllamnikun bisedojmë për shumë çështje.
KOHA: Kush është më meritori që ju filluat të merreni me basketbollin?
SLLAMNIKU: Mentas Alajbegu ishte ai i cili më futi në ujërat e basketbollit, edhe atë që kur isha në klasën e shtatë. Ai, atëbotë angazhoi disa nxënës, në mesin e të cilëve isha edhe un. Momenti kur ne u futëm në sallë ishte i papërshkruar, pasi që aty për herë të parë u njoftuan me topin e basketbollit. Që nga ai moment na lindi dëshira që ta vazhdojmë këtë sport dhe filluam të stërvitemi çdo ditë pas orëve të mësimit. Më pastaj filluam edhe me garat e shkollave fillore. I ndjeri, Mentasi, çdo ditë na porosiste se në momentin që ne jemi të lirë, mos të bredhim rrugëve, por aftësitë tona t’i përsosim në sallë. Koha kaloi shumë shpejtë dhe sukseseve nuk ju ndala as në shkollën e mesme. Në vitin 1974, bashkë me shokët e gjeneratës të “Zef Lush Markut” arritëm të bëhemi kampion në kampionatin për shkollat e mesme në Maqedoni, nën drejtimin e profesorit Sabit Fazliu.
KOHA: I takoni gjeneratës së artë të basketbollistëve shqiptar, që ishin përfshirë në klubin “Slloga”. Si arritët të bëheni një nga basketbollistët më të shquar shqiptarë të të gjitha kohëve?
SLLAMNIKU: Të arrish të bëhesh një basketbollit është shumë e vështirë, aq më tepër kur të mendosh se sa duhesh të stërvitesh. Vështirë se secili mund ta durojë atë ritëm. Disa mendojnë se është lehtë të bëhesh sportist, mirëpo unë e di se sa e vështirë është një gjë e tillë. Shumë mirë më kujtohet, pasi përfundonim stërvitjet, nga lodhja këmbët nuk i ndjeja. Por, pa punë nuk mund të arrish suksese dhe unë këtë e kisha kuptuar, kurse në këtë drejtim na motivonte sidomos Mentazi. Sukseset e gjeneratës tonë nuk janë arritur rastësisht, por me një mund të madh dhe me shumë sakrifica. Por, si çdo herë mundi shpërblehet dhe në fund ia arritëm qëllimit dhe u bëmë gjenerata e cila ngriti cilësinë e basketbollit shqiptar në atë nivel sa që e barazoi me basketbollin e ish Jugosllavisë.
KOHA: Kur debutuat për herë të parë dhe cilën ndeshje do të veçoni si ndeshje më të suksesshme gjatë karrierës?
SLLAMNIKU: Në vitin 1974 kur isha 17 vjeç u inkuadrova në klubin e basketbollit “Slloga”. Si sot më kujtohet. Luanim përballë ekipit të “Kumanovës” dhe ndodhi mrekullua, isha lojtari më i mirë. Shënova 20 pikë,për një pjesë të lojës. Ndërsa, si ndeshje më të suksesshme gjatë karrierës e konsideroj ndeshjen mes KB “Slloga” dhe KB “Prishtina”, kur shënova 44 pikë. Por ndeshjen përballë KB “Borec” nga Velesi do ta përmendi si ndeshje të veçanti, pasi aty arrita të shënoj 55 pikë prej 87 pikëve që shënuam gjithsej si ekip. Dhe nuk mundem të mos e ceki dhe atë se prej 25 gjuajtjeve shënova 50 pikë dhe asnjëherë nuk gabova, ndërsa 5 pikët e tjera i shënova nga gjuajtjet e lira.
KOHA: Çdo sportist gjatë karrierës së tij has në suksese dhe vështirësi. Kur jemi te kjo e fundit, cilat kanë qenë vështirësitë e juaja?
SLLAMNIKU: Sportistët hasin në vështirësi të ndryshme, por ato vështirësi janë më shumë të natyrës teknike. Për vetën time, më shumë kam hasur në vështirësi politike, e them këtë sepse rrallë herë në botë mund të ndodh një sportistë i dalluar të diferencohet në aspektin ideo-politik, siç më ndodhi mua kur me kryetrarin e atëhershëm Vasil Tuporkovski dhe më ndihmën e Shukria Avdoviç, pasi që kishin marr informata se SHF “Jane Sandanski” më kishin larguar nga puna, ata e bënë po të njëjtën gjë dhe më larguan edhe nga loja e basketbollit si dhe nga aktivitet e mëtejshme në këtë fushë. E gjithë kjo ndodhi pasi në vitin 1981, derisa punoja në shkollën fillorë “Jane Sandanski”, pata shkruar në një dokument personal të shkollës se unë jam i lindur në Lipjan të Republikës së Kosovës. Nocionin “republikë” me siguri e kam shkruar nga inercioni i aktualitet të asaj kohe. Kur kjo gjë u vu në pah, drejtoria e shkollës menjëherë më suspendoi, duke më larguar nga puna. Pastaj reaguan edhe KB “Slloga” dhe Lidhja e Basketbollistëve të Maqedonisë, më ndëshkuan dhe më ndaluan çdo aktivitet sportiv. Këto dënimet mua nuk më penguan, por vetëm më dhanë kurajo dhe më bënë më të fortë, duke më mundësuar edhe më shumë suksese të reja dhe të bëhem basketbollistë edhe më i mirë, por tani jo në Maqedoni, por në Kosovë.
KOHA: Cilat janë të arriturat e juaja si basketbollistë?
SLLAMNIKU: Të arriturat më të larta në karrierën time si basketbollist do t’i kisha konsideruar disa rezultate. Me ekipin e KB “Slloga” arritëm të bëhemi kampion të Maqedonisë. Pas kësaj kaluam në Ligën e parë “B” të ish Jugosllavisë. Për gjitha këto suksese isha unë një ndër më meritori, sidomos për shkak të efikasiteti tim, për atë kohë, fantastik. Atëbotë loja e basketbollit ishte shumë e popullarizuar në mesin e shqiptarëve të Shkupit dhe me iniciativë të gjeneratës së artë nga Shkupi, u themelua ekipi i basketbollit “Liria”, në përbërje të së cilës kishte vetëm basketbollistë shqiptarë, e në mesin e tyre u inkuadrova edhe un. Me “Lirinë” arritëm të shpallemi kampion dhe merita të posaçme i takon edhe trajnerit të njohur, Fadil Nika.
KOHA: Asnjëherë nuk jeni ndalur së pëlqyeri këtë sport. Na tregoni diç edhe për periudhën kur ishit edhe trajner.
SLLAMNIKU: Me propozim të kryesisë së KB “ Prishtina” u caktova si përgjegjës i shkollës për basketbollistë të rinj në po këtë vend. Në ndërkohë u caktova edhe si trajner i reprezentacionit të basketbollit për kadetë. Me shumë dëshirë dhe vullnet pranova këtë post dhe njohurit e mia profesionale u mundova që t’ua barti gjeneratave të reja kosovare. Pas një pune të mundimshme dhe kuptohet me shumë vullnet, rezultatet nuk munguan dhe, për fat të mirë, reprezentacioni i të rinjve kosovarë, nën udhëheqjen time fitoi vendin e dytë për kampionat në kadetë në ish Jugosllavi, duke eliminuar reprezentacionet e Kroacisë, Malit të Zi dhe Bosnjës, ku më pas në finale pësuam disfatë minimale me 72:74.
KOHA: Pasi ishit lider i basketbollit në Maqedoni, me siguri keni qenë pjese edhe e reprezentacionit të Maqedonisë. Sa herë jeni aktivizuar për Maqedoninë?
SLLAMNIKU: Po, kam qenë përfaqësues i basketbollit të Maqedonisë, dhe isha një ndër basketbollistët e rrallë shqiptarë. Në këtë reprezentacion pata rastin të aktivizohem në turneun “Vëllazërim-Bashkim”, ku me sukses të shkëlqyeshëm luajta 4 ndeshjet e përfaqësueses në fjalë. Sipas ekspertëve të basketbollit, unë isha lojtari më efikas apo thjesht thënë më i dalluari i atij turneu të organizuar në Kroaci.
KOHA: Cilin trajner do ta kishit veçuar si më të suksesshmin në basketboll?
SLLAMNIKU: Për momentin kisha veçuar vetëm një trajner. Ai është Arben Krasniqi, i cili ka qenë edhe nxënësi im, kurse tani është përzgjedhës i përfaqësueses së Kosovës në basketboll. Mund të them se ky djalosh ka një të ardhme të ndritur. Po ashtu si trajner të suksesshëm do t’i veçoja edhe trajnerët që kanë merita të posaçme në arritjet e mia si basketbollistë e ata janë, Mentas Alajbegu, Baki Maliqi dhe profesori i nderuar i gjimnazit “Zef Lush Marku”, Sabit Fazliu, të cilin e konsideroj si trajner mjaftë të suksesshëm.
KOHA: Në Maqedoni kemi shkollën e basketbollit KB “Shkupi”. A keni ndjekur ndonjë ndeshje dhe a mendon se do të kemi basketbollistë që do të shkoj hapave tu?
SLLAMNIKU: Të them të drejtën kohën e fund jam pak larg basketbollit vendor. Jam shumë optimistë se në të ardhmen mundet të arrihet diçka e mirë. Mirëpo, për të arritur suksese, së pari duhet të ketë kushtet në nivel, duke filluar nga sallat sportive, pajisjet për ushtrime e pastaj vjen vullneti i lojtarit si dhe ushtrimet. Këtu duhet edhe trajneri të di të motivojë lojtarët që të arrijnë në majat e basketbollit. Natyrisht, me kusht që shoqëria shqiptare t’i përkushtohet shumë më tepër sportit dhe jo vetëm politikës.
KOHA: Më herët kishim një klub shqiptar që garonte në Superligën e Maqedonisë, por tani ai klub nuk ekziston. Ku qëndron problem?
SLLAMNIKU: Problemi qëndron edhe te investitorët. Te ne nuk ka organizator të mirë. E kishim Klubin e basketbollit “Liria”, mirëpo edhe aty kishim vetëm një shqiptar, kurse ai fare pak është inkuadruar. Edhe pse një person u mundua shumë që ky klub të këtë të ardhmen të ndritshme, megjithatë nuk arriti ta realizojë synimin e tij, për shkak se nuk mundi assesi të gjejë basketbollist shqiptar, të cilët do të ishin startues në formacionin e parë.
KOHA: Çfarë duhet të bëj një basketbollistë që të arrijë të luajë në klubet e mëdha evropiane?
SLLAMNIKU: Së pari duhet të jetë një person i shëndosh, të jetë i gjatë. Sot, nuk mundemi të themi që nuk kemi talent për lojën e basketbollit. Mirëpo, nuk jemi në gjendje të eliminojmë të gjitha pengesat që kanë ndikuar e që edhe më tutje ndikojnë në ngecjen e basketbollit në vendin tonë. Së pari, duhet t’i kemi të gjitha kushtet për stërvitje, duke filluar nga sallat e deri te mjetet më elementare. Do të kisha cekur si shembull Kristiano Ronaldon dhe Lionel Mesin, ku të gjithë e dimë se Ronaldo me punë ka arritur të jetë ai që është sot, ndërsa mesi është i lindur që të jetë një lider. Kjo do të thotë se edhe në basketboll duhet t’i kesh këto veti, të punosh me shumë dashuri, kurse talenti është vetëm një plus që të ngjitesh në majat më të larta.
KOHA: A jeni aktiv ende në basketboll?
SLLAMNIKU: Definitivsht jo. Mirëpo, mund të them se nga televizori ndjek shumë ndeshje basketbolli.
KOHA: Thatë që nuk lëshoni asnjë ndeshje te Euroligës. Cila skuadër ju pëlqen më shumë?
SLLAMNIKU: Është e vërtetë, vite me radhë e përcjelli këtë eveniment. Edhe pse CSKA Moska është favorit, nuk mund të them se janë më të mirë, pasi jo gjithmonë favoriti del i pari. Po ashtu kemi Fenerbahçen, një ekip shumë të fortë, Reali dhe Barcelona për momentin nuk janë në formë si ishin vite më parë. Do të thotë edhe këtu shihet se ekipet e vogla me punë kanë arritur të jenë në majat e basketbollit.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.