Gjithsej 84 civilë kanë humbur jetën dhe 90 të tjerë janë plagosur në sulmet e organizuara në Rakka të Sirisë gjatë ditës së djeshme dhe një ditë më parë, raporton Anadolu Agency (AA). Të dhënat janë shpalosur në median sociale nga rrjeti lokal i aktivistëve me emrin “Rakka po masakrohet në heshtje”, rrjet ky kundër organizatave terroriste DEASH dhe PKK/PYD, i cili ka njoftuar se civilët kanë pësuar nga sulmet e ndërmarra më 26 dhe 27 korrik në Rakka nga koalicioni ndërkombëtar i kryesuar nga SHBA-të dhe ato të organizatës terroriste PKK/PYD.
Ndërkaq, Muaz Aziz, një nga aktivistët mediatikë lokalë në Rakka, për AA tha se “DEASH ka sulmuar me autobombë një njësit të PYD-së në afërsi të qytezës Karama në lindje të Rakkas, ndërsa si pasojë kanë vdekur shumë pjesëtarë të PYD-së”. Aziz theksoi po ashtu se spitali në Rakka që përdoret si seli nga DEASH-i është goditur nga njësitet artilerike amerikane.
“Shumë civilë plagosen nga sulmet që ndërmerren në Rakka. Spitalet janë përplotë me të plagosur dhe kanë nevojë urgjente për pajisje mjekësore”, shtoi Aziz. Ndryshe, operacioni në qendrën e qytetit të Rakkas i kryesuar nga SHBA-të nisi më 6 qershor. Rrjeti Sirian për të Drejtat e Njeriut (SNHR) më parë ka njoftuar se të paktën 1.400 civilë kanë humbur jetën si pasojë e operacioneve në Rakka në tetë muajt e fundit, në mesin e të cilëve 308 janë fëmijë dhe 203 gra.