Driton ZENKU
Gostivar, 11 prill – Rastet e infektuar me HIV-Sidë mbeten të izoluara në rajonin e Gostivarit. Nga fillimi i vitit dhe deri tani, nuk ka pasur asnjë rast të evidentuar, ndërkaq vitin e kaluar, pas plotë pesë vitesh, u regjistruan dy raste të reja të infektuar me këtë sëmundje ngjitëse, njëri i gjinisë mashkullore dhe njëri i gjinisë femërore, shkruan gazeta KOHA. Që të dy janë nga vendbanimet rurale, ndërsa virusin e kanë marrë nëpërmjet të rrugës seksuale. Gruaja është e moshës prej 50 – 59 vjeçe, ndërsa buri mbi 60 vjeçar. Në rajonin e Gostivarit aktualisht numërohen gjithsej 7 raste të evidentuara.
“Dëshiroj t’i njoftoj banorët e qytetit të Gostivarit se, për sa i përket situatës epidemiologjike me Hiv Sidën, këtë vit, deri tani, nuk kemi raste të reja, kurse vitin e kaluar patëm dy rastea. Kjo nëpërmjet të aktivitetit që ne e quajmë këshillimi dhe testimi me vetëdëshirë i personave, me ç’rast u zbuluan dy persona me hiv pozitiv”, thotë Vojsllav Ognjanoski nga Qendra epidemiologjike, njësia në Gostivar. Ai nënvizon se nuk përjashtohet mundësia që numri të jetë edhe më i madh, pasi akoma ka njerëz që mund ta fshehin sëmundjen e tyre nga paragjykimet e mundshme. Sipas tij, në Spitalin e Gostivarit, 3 rastet e para janë evidentuar në vitin 2005. Në vitin 2006, është zbuluar edhe një rast tjetër dhe rasti i fundit është zbuluar gjatë vitit 2011. Sipas gjinisë, 4 janë meshkuj dhe 3 i përkasin gjinisë femërore. “Sipas informatave të sigurta që kemi, dy persona me HIV / SIDË tash më kanë ndërruar jetë”, thotë për KOHA, Ognjanoski. Transmetimi i virusit lehtësisht mund të bartet te personat që janë konsumues të lëndëve narkotike përmes injeksioneve. Për fat të mirë, kjo dukuri nuk është përhapur në regjionin e Gostivarit, edhe pse numri i personave të varur nga drogat e tilla është i konsiderueshëm. Dr Ognjanovski thotë se numri mund të jetë edhe më i madh, por vetëdija qytetare për sa i përket test sidës akoma po qëndron në një nivel shumë të ulët që ka bërë shumë persona edhe të ndërrojnë jetë pa e konstatuar asnjëherë se kanë qenë bartës të së njëjtës. Ai me këtë rast apeloi tek e gjithë popullata që ta bëjnë test sidën, procedurë kjo që bëhet pa pagesë dhe në kushte anonimiteti, që do të thotë, pa pasur nevojë të japin të dhënat e tyre të identifikimit.
Sipas OJQ-ve, që merren me këtë sëmundje, mungojnë format preventive nga ana e shtetit për parandalimin e përhapjes së kësaj dukurie. Madje, buxheti për vitin 2017 parasheh 59% më pak mjete për luftën kundër HIV/AIDS. Këtë vit ka 33 të sëmurë të rinj me HIV, ndërkaq deri tani janë regjistruar 275 raste, 80 nga të cilët kanë vdekur.Ky virus vazhdon të jetë problem madhor për shëndetin publik, edhe pse numri i njerëzve që kanë vdekur nga sëmundje të lidhura me AIDS-in është përgjysmuar – nga dy milionë në vitin 2006 në 1.1 milion më 2015.Mendohet që në botë për çdo ditë nga kjo sëmundje infektohen rreth 6000 njerëz. Për momentin në botë rreth 39.4 milion njerëz jetojnë me “HIV”.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara