Laura PAPARNIKU
Shkup, 27 gusht – Janë publikuar ditën e hënë listat preliminare me emrat e studentëve që fituan të drejtën e regjistrimit nëpër universitete publike për vitin akademik 2017/2018 nga afati i parë i regjistrimit e që u zhvillua javën e kaluar. Megjithatë, kanë mbetur edhe shumë vende të lira për afatet tjera, që do të organizohen njëri në fund të gushtit dhe tjetri në muajin shtator. Numri i kandidatëve nga afati i parë i regjistrimit është shumë larg numrit të përgjithshëm të vendeve që ofrojnë universitetet në konkurset e publikuara prej tyre. Kështu, në Universitetin e Tetovës, për afatet tjera kanë mbetur edhe 3013 vende, ndërsa në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup edhe 1363 vende. Gjykuar në rezultatet preliminare, të cilat i kanë publikuar universitetet – jehonë më të madhe në UT kanë pasur programet studimore të mjekësisë, ndërsa në UNT – ato të shkencave sociale, të cilat edhe kanë thithur numrin më të madh të atyre që kanë fituar të drejtën për statusin e studentëve në këto dy universitete. Kështu, në listat e UT-së janë ranguar gjithsej 857 kandidatë me të drejtë regjistrimi, edhe atë 242 në Fakultetin e Shkencave Mjekësore, 129 në Fakultetin Filozofik, 106 në Fakultetin Filologjik, 75 në Fakultetin Juridik, 70 në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore apo 47 në Fakultetin Pedagogjik. Listat me më pak emra është Fakulteti i Administrim Biznesit (26), Artet (24), Kulturës Fizike (23), Teknologjisë së Ushqimit dhe të Ushquerit (22) dhe Bujqësisë dhe Bioteknologjisë (19).
Ndërkaq, në UNT fakultetet me numrit më të madh të atyre që do të regjistrohen nga afati i parë janë: Shkencat Sociale (90), Shkencat teknike (42), Ndërtimtaria dhe Arkitektura (23), Informatika (22) dhe Shkencat teknologjike(22). Këtu bie në sy numri i lartë i atyre që kanë zgjedhur programin studimor të punës dhe politikës sociale. Konkretisht nga 156 kandidatët të shpërndarë në 7 programet e Fakultetit të Shkencave Sociale, 54 kanë zgjedhur punë dhe politikën sociale., ndërkohë që në gerontologji është përcaktuar këtë afat vetëm 1 kandidat. Më pak jehonë në UNT sipas listave kanë pasur programet e Menaxhimit industrial, inxhinieria për mbrojtjen e shëndetit në punë, inxhinieria për mbrojtjen të ambientit dhe mjedisit me nga një kandidatë. Nuk janë larg as programet studimore të studimeve ballkanike dhe evroaziatike apo studimeve elektoenergjetike me nga 2 kandidatë.
Paraprakisht, nga të dyja këta universitete publike në gjuhën shqipe kishin folur për jehonë të kënaqshme të dorëzimit të dokumenteve. Nga USHT raportonin për rreth 1500 kandidatë dhe nga UNT për rreth 300 kandidatë. Mirëpo listat preliminare përveç që tregojnë që jehona është shumë larg ofertës së atyre universiteteve, por në të njëjtën kohë i zbulon edhe deklarimet e fyera pas si tepër. Kështu në UT janë disa qindra më pak se u paralajmërua tre ditë më parë, pra janë rreth 900 dhe jo rreth 1500, ashtu sikundër edhe në UNT janë rreth 200 dhe jo rreth 300 kandidatë. Sidoqoftë, universitet kanë përpara vetes edhe dy afate të tjera të regjistrimit dhe në të njëjtën kohë mundësi për të siguruar më tepër studentë në viti akademik 2017/2018. Do të persin edhe kandidatët të cilët do të refuzohen nga kuota shtetërore të Universiteteve tjera, sidomos atij të Shkupit apo edhe kandidatët që për arsye të ndryshme mund ti kenë lënë provimet e maturës shtetërore në muajin gusht. Deri në këto moment, sipas atyre që kanë fituar të drejtën e regjistrimit UT ka realizuar 22.1 për qind të konkursit, ndërsa UNT 13.7 për qind.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.