Shtyhet votimi në Parlamentin e Izraelit (Knesset) për miratimin e projektligjit i cili parasheh ndalimin e thirrjes së ezanit me altoparlantë nga xhamitë për shkak të “ndotjes akustike”, raporton Anadolu Agency (AA). Sipas lajmit në kanalin televiziv 10 të Izraelit, është shtyrë votimi i parashikuar për sot në Knesset, për ndalimin e thirrjes së ezanit, pas kundërshtimit nga partia fetare hebreje Yahdudot HaTora (Tevrati i Bashkuar). Ministri i Shëndetësisë nga Yahudot HaTora, Yakup Litzman, ka thënë se e kanë kundërshtuar projektligjin, duke konstatuar se ndalimi i ezanit nga altoparlantët do të ndikojë edhe në ritualet hebreje. Kundërshtimin e Yahudot HaTora-s të udhëhequr nga Yakup Litzman ndaj projektligjit që parasheh ndalimin e thirrjes së ezanit nga altoparlantët, e kanë përkrahur edhe Partia Shas, Partia Hebreje Kulanu dhe Lista e Bashkuar Arabe. Në mënyrë që projektligji të sillet sërish në parlament për diskutim nga asambleja e përgjithshme, nevojitet që kryeministri Benjamin Netanyahu të caktojë një datë. Komisioni ligjvënës i kuvendit të Izraelit i cili ka diskutuar projektligjin që në opinionin publik njihet si projektligji për “ndalimin ezanit”, të njëjtin e kishte miratuar dhe dërguar në kuvend. Në mënyrë që projektligji në fjalë të hyjë në fuqi, nevojitet diskutimi i tij në tri seanca të veçanta dhe votimi i tij në Knesset. Projektligji që ndalon thirrjen e ezanit nga altoparlantët ka nxitur reagime te palestinezët dhe bota islame. Edhe më herët ai ishte sjellë shumë herë në rend dite, mirëpo asnjëherë nuk ishte ligjësuar. Ndërkaq, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është shprehur në një deklaratë të djeshme me shkrim se mbështet projektligjin i cili parasheh ndalimin e ezanit për shkak të “zhurmës dhe shqetësimit të njerëzve”.