Gjykimi për lëndën “Ryshfeti” në të cilin i akuzuar është kryeministri Zoran Zaev sot është shtyrë për më 27 shtator. Në seancën gjyqësore në Gjykatën Themelore Shkupi 1, mbrojtja e Zaevit kërkoi përjashtim të incizimeve nga Masat e veçanta hetimore të publikuara në Ju Tjub. Në lëndën “Ryshfeti”, Zaev akuzohet se si kryetar i komunës së Strumicës ka kërkuar ryshfet nga biznesmeni nga Strumica Ivan Nikollov Saçevaliev në vlerë prej 160 mijë euro për tokë ndërtimore në Strumicë.
Pas pjesëmarrjes në seancën gjyqësore, Zaev deklaroi se qëllimi i tij është respektimi i plotë i gjykatës dhe vendimeve gjyqësore, si dhe se shpreson se do të punojë shpejtë dhe do të sillen vendime, për, siç theksoi, në fund edhe unë dhe të gjithë qytetarët, ta presim drejtësinë. Me mbrojtjen, siç tha, kanë menduar nëse do ta publikojnë incizimin e plotë që të mësohet tërë përmbajtja ose të kërkojnë përjashtimin e tij si dëshmi, pas çka kanë vendosur ta shfrytëzojnë mundësinë e dytë që ua lejon ligji.
“Veprimi ligjor-formal filloi me kërkesën nga avokatët e mi për përdorshmërinë e masave të veçanta hulumtuese nga aspekti që ato janë publikuar. Në pajtim me ligjin, masa e veçantë hetuese, e cila është publikuar publikisht nuk përdoret si dëshmi. Ishim në hamendje nëse atë incizim ta prezantojmë publikisht në tërësi që të mësohet në esencë vetë lënda ose të kërkojmë përjashtimin e tij për shkak se ligji këtë e mundëson. Megjithatë, vendosëm t’i shfrytëzojmë të gjitha mundësitë ligjore dhe Gjykata do të sjell vendim në pajtim me kërkesën e avokatëve. Tekstualisht ne jemi në të dyja anët. Si të vendos Gjykata, ashtu do t’i shfrytëzojmë edhe të drejtat tona”, deklaroi Zaev.
Ai theksoi se ai personalisht, si person i akuzuar pret dhe dëshiron ai incizim të dalë në opinion dhe, siç tha, të shihet tërësia e veprimit e cila ka ndodhur dhe tha se as nuk ka pasur qëllim, as nuk ka ndodhur ndonjë lloj ryshfeti. I pyetur nëse pret që Prokuroria të hetojë prej ku kanë dalë incizimet tha se dy vjet e gjysmë Prokuroria e heton këtë.
“Dihet me ligj se ekziston vetëm një incizim, nuk mund të ekzistojnë dy, se i obliguar dhe për ruajtjen e tij, menaxhimin dhe procesimin e mëtutjeshëm është vetëm prokurori publik dhe menjëherë incizimi i njëjtë paraqitet në Ju Tjub. Nuk duhet të jetë ndonjë ekspert i veçantë ose profesionist i veçantë në këtë fushë që të dijë nëse është incizimi i njëjtë ose jo. Është incizimi i njëjtë, ai është incizimi që është shfaqur. Problemi është që është dhënë dy herë, i prerë drejtpërdrejtë. Që të shfaqet veprimi i kompletuar është dashur që nëse publikohet të paktën të publikohet e plotë. Nëse jo, opinioni ta dijë tërë të vërtetën”, deklaroi Zaev. Por, shtoi, unë jam vetëm një palë e procedurës. Gjykata është ajo e cila do të bartë vendime, qëllimi im është respektimi i plotë i gjykatës dhe vendimeve gjyqësore. Shpresoj se shpejtë do të punohet, do të sillet vendim gjyqësor, që në fund edhe unë si dhe të gjithë qytetarët, ta presim drejtësinë për mua, tha Zaev. I pyetur deri ku është procedura për kallëzimin penal deri te Nikollov Sapevaliev, Zaev tha se kjo, sipas avokatëve, penalisht është para Prokurorisë Speciale Publike. “Janë parashtruar kallëzime tjera kundër prokurorit për shkak të publikimit dhe presim rezultat nga kallëzimet e tilla”, tha Zaev.