Zejnulla VESELI
Shkup, 29 prill – Ngritja e zërit kundër presionit që shteti po i bënë bizneseve këto tre vitet e fundit, ka bëri që të intensifikohen inspektimet, sidomos ky trend nuk ka të ndalur që nga fillimi i krizës politike. Nga OEMVP, thonë se pavarësisht këtyre inspektimeve të shpeshta, ne si odë ekonomike do të vazhdojmë të flasim për problemet që kanë bizneset, si pasojë e krizës politike dhe moskujdesit të Qeverisë për të ndihmuar sektorin e biznesit privat, e në veçanti firmat e vogla dhe të mesme. Drejtori ekzekutiv i OEMVP-së, Fatmir Bytyqi, thotë për gazetën KOHA se në parim, inspektimet nuk duhet të paraqesin problem, por të njëjtat duhet të ndihmojnë biznesin që veprimtarinë e tyre ta realizojnë konform rregullativës ligjore, mirëpo inspektimet bëhen problematike kur vërehet përdorim i standardeve të dyfishta apo zbatim selektiv i legjislacionit, apo kur disa subjekte juridike kanë në një farë mënyre status të privilegjuar. “Parimisht, inspektimet janë për të edukuar komunitetin e biznesit në rast se ato nuk janë të informuar me obligimet që rrjedhin nga legjislacioni vendor, kurse te ne, në shumë raste shihet tendenca që kompanitë gjobiten, në të shumtën e rasteve me gjoba shumë të larta, ndërsa shumë rrallë ndodh që të njëjtat të marrin vetëm vërejtje”, thotë Bytyqi. Sipas Bytyqit, analiza e fundit e bërë nga OEMVP-ja, tregon se janë shtura kontrollet e inspektimeve dhe cak i këtyre kontrolleve janë kompanitë që veprimtarinë afariste e kanë jashtë qytetit të Shkupit, kryesisht nga rajonet jug-lindor dhe jug-perëndimor. “Pas shume deklaratave se shteti nuk po bën asgjë për sektorin e biznesit privat, vërehet tendenca e shtuar e kontrolleve nga ana e inspektorëve dhe kompanitë e vogla më shpesh dënohen në krahasim me të mëdhatë, i njëjti ekuacion është edhe në inspektimet ndaj kompanive vendore vis-a-vis kompanive të huaja. Dhe ky është thelbi i problemit, zbatimi selektiv i rregullativës ligjore”, thotë Bytyqi. Të gjitha këto kontrolle të shtuar nga inspektorati për Bytyqit kanë për qëllim të ndikojnë edhe në aspekt psikologjik te kompanitë, që të njëjtat të de motivohen dhe të mbjellët frikë mbi ta, e cila e bënë që ata të mos merren me veprimtarin e tyre me qëllim që të rrisin punën dhe profitin por ato të qëndrojnë në gjendje frike dhe të presin në çdo moment inspektimet dhe të llogarisin që sa mund të jenë të gjobitur.
“Nga ana tjetër, gjobat financiare ndikojnë negativisht mbi bizneset, sidomos mbi kompanitë mikro dhe të vogla, sepse në bazë të analizave tona raporti në mes gjobave dhe vërejtjeve të kompanitë e vogla dhe të mëdha është në disfavor të atyre të vogla sepse 30 për qind kemi vërejtje, kurse 70 për qind dënime kurse te të mëdhatë është e kundërta”, thotë Bytyqi.
Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri Perëndimore, do të vazhdon të ngritë zërin kundër këtyre presioneve që shteti po u bënë bizneseve të vogla dhe gjithmonë do të shprehim haptazi shqetësimet e tona mbi politikat zhvillimore ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, sepse politikat aktuale janë në favor të kompanive të mëdha të cilat janë vetëm 1,8 për qind e të gjitha kompanive, kurse 98,2 për qind janë firma të vogla dhe të mesme. “Inspektimet ne i kemi krahasuar në aspekt të rajoneve planore dhe si problematikë shihet se kompanitë që janë jashtë Shkupit janë më shumë target e inspektimeve. Dukshëm më shumë inspektime kemi në rajonin jug-lindor dhe jug-perëndimorë të vendit. Rrjedhimisht volumi i inspektimeve më të mëdha, është në rajonet të cilat kryesisht menaxhohen nga partitë opozitare”, thotë Fatmir Bytyqi, drejtor ekzekutive i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore. Ndryshe, analiza e realizuar nga OEMVP-ja tregon se në firmat në rajonin e Shkupit janë kryer 6 kontrolle brenda periudhës 5 vjeçare, ndërsa në firmat e rajonit jug-perëndimor janë kryer nga 30 kontrolle për periudhë të njëjtë. Më së tepërmi kontrollet janë ushtruar ndaj firmave që për veprimtari kanë turizmin , bujqësinë dhe tekstilin. Inspektime më të vogla janë ushtruar ndaj kompanive ndërtimore. Më shumë se 26 për qind e firmave të vogla dhe të mesme janë vizituar së pari në policia financiare e më pas edhe nga inspektorati i punës.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara