Omer XHAFERI
Shkup, 2 maj – Kallëzimet penale të iniciuara nga Ministria e Punëve të Brendshme, kundër 15 pjesëmarrësve të cilët në mënyrë të dhunshme me 27 prill e sulmuan Kuvendin e Maqedonisë, nga Prokuroria Publike ende nuk janë proceduar plotësisht, shkruan gazeta KOHA. Sipas të dhënave të publikuara nga organet kompetente lidhur me rrahjen e deputetëve dhe gazetarëve, në Gjykatën Penale të Shkupit, prokuroria ka propozuar shqiptimin e masave ligjore vetëm ndaj tetë të dyshuarve. Ndërkohë, edhe matej mbeten në liri shtatë të dyshuarit tjerë, për të cilët Sektori për Punë të Brendshme Shkup, publikisht njoftoi se ka kërkuar nga Prokuroria zhvillimin e hetimeve për shkeljen ligjore të neneve 384 dhe 385 të Kodit Penal të Maqedonisë.
Të kontaktuar nga gazeta KOHA, nga MPB-ja kanë thënë se Prokuroria është institucioni ku duhet të drejtohemi për marrjen e informacioneve që lidhen me zbardhjen e plotë të sulmit të Kuvendi, ku mbetën të lënduar mbi 100 persona. Sidoqoftë, si shumë herë deri më tani, edhe kësaj radhe nga Prokuroria Publike nuk e panë të arsyeshme t’i përgjigjen pyetjeve tona të lëshuar përmes adresës elektronike, në të cilët kërkohen të dhëna për atë se pse ende nuk janë arrestuar shtatë të dyshuarit tjerë. Ose, vallë ato si institucion relevant në këtë rast, a kanë ngritur procedurë për vërtetimin e përgjegjësisë të pjesëtarëve të policisë, të cilët ditën tragjike të 27 prillit, nuk i kryen detyrat e tyre konform standardeve profesionale.
Në mesin e personave të dyshuar për të cilët policia e Shkupit kërkon që të zhvillohet proces gjyqësor, siç u bë e ditur në opinion gjendet edhe një pjesëtar i policisë sekrete, një ish drejtor i një shkollë fillore në Shkup, aktorë dhe profile tjera të të dyshuarve, të cilët në masë të madhe lidhen me punën e tyre publike. Por, për çudi SPB-Shkup, nuk ka ngritur padi penale ndaj organizatorëve të protestës “Për Maqedoni të përbashkët”, Bogdan Ilievski, Igor Durlovski dhe Boris Dimovski. Pas shqyrtimit të video materialeve nga kamerat e sigurisë në Kuvend, nga SPB-Shkup, përmes një komunikate kanë bërë të ditur se janë identifikuar personat të cilët kanë marrë pjesë në largimin e barrikadës së vendosur paraprakisht në derën e anës së brendshme të hyrjen kryesore në Kuvendit. Njëherësh, nga ky sektor i policisë kanë thënë se edhe më tej në koordinim me Prokurorinë Publike, në mënyrë intensive punojnë në identifikimin e personave të cilët kanë qenë pjesëmarrës në ngjarjet e 27 prilli. Relativizmin e kësaj ngjarje, duke mos i marrë parasysh ngjarjet kryesore, në radhë të parë duke u mbështetur në kualifikimin penal të rastit, sipas opinionit më të gjerë, përfshi edhe atë juridik, nënkupton “mbulim” të dhunës përmes veprës penale “pjesëmarrje në masë”, e jo siç ishte në realitet një akt klasik “terrorist”, duke vënë në rrezik rendin kushtetues dhe jetën e njerëzve. Ndryshe, pesë ditë pas trazirave që ndodhën Kuvend, përfaqësitë diplomatike në vend dhe ato nga jashtë kanë apeluar në zbardhjen e plotë të kaosit që mbizotëroj mbrëmjen e 27 prillit. Nga ana tjetër, pas dhënies së ndihmës së parë mjekësore dhe analizave shëndetësor, grupi i deputetëve të LSDM-së, të cilët pësuan lëndime të lehta trupore janë lëshuar për kurim shtëpiak. Ndërkaq, personi i vetëm i cili si pasojë e dhunës ende është duke qëndruar në spital, është kryetari i LR-PDSH-së, Zidain Sela. Mirëpo, fal angazhimit të stafit mjekësor në Qendra klinike në Shkup dhe Tetovë, nga kjo parti kanë bërë të ditur se gjendja shëndetësore e liderit të tyre shkon drejtë përmirësimit.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara