Sipërfaqet e mbjella me kanabis këtë vit u rritën me 5 herë më shumë sesa një vit më parë. Pesë herë më shumë do të thotë 213.4 hektarë me bimë narkotike kundrejt 44.7 hektarëve të kultivuar në vitin 2015 apo 16.2 hektarëve të vitit 2014, pa llogaritur këtu Lazaratin. Këtë vit pati 13 herë më shumë parcela me kanabis sesa në vitin 2014 kur qeveria goditi Lazaratin. Shpërbërja e Lazaratit, kryeqytetit evropian të kanabisit, ashtu siç ishte raportuar në disa media ndërkombëtare, bëri që kultivimi i bimës narkotike të shpërthente në mbarë vendin. “Situata është përkeqësuar”, i tha një diplomat i rëndësishëm revistës prestigjioze “The Economist”. RAI publikoi dje një reportazh me intervista të kultivuesve të Krujës që i tregonin me zë e figurë se fitonin 60 % nga droga dhe 40 % ia jepnin policisë. Në të gjitha plantacionet e zbuluara, së fundi me ndërhyrjen e Prokurorisë dhe SHISH, shihet se kultivuesit kanë ngritur sisteme të sofistikuara vaditje. Sisteme që u mungojnë fermerëve në të shumtën e rasteve. Vaditja është ndër arsyet kryesore përse prodhimi bujqësor në Shqipëri është në rënie. Të dhënat zyrtare tregojnë se bujqësia është në trend rënës për të pestin tremujor radhazi. Në tremujorin e dytë të këtij viti rënia ishte me 1.48 %. Ngadalësimi ka nisur që në vitin 2013 në këtë sektor që mban një peshë të lartë të ekonomisë së vendit. Në Shqipëri bujqësia zë afro 20 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Megjithatë, Shqipëria vazhdon të importojë prodhime bujqësore (4.7 herë më shumë se sa eksporton sipas Monitor). Një ndër arsyet është fakti se bujqësia shqiptare nuk ka mundur të modernizohet në këto vite. Por orientimi i popullsisë së fshatit drejt trendit të kultivimit të kanabisit, po e përkeqëson situatën. Që banorët e zonave të thella (dhe jo vetëm) po kultivojnë kanabis (dhe jo kultura bujqësore) për të luftuar varfërinë dhe papunësinë, këtë e pranoi me një deklaratë populiste vetë Ministri i Brendshëm i Republikës së Shqipërisë, Saimir Tahiri. “Unë i kuptoj qytetarët e zonave më të thella të Shqipërisë, që ngasja për të luftuar varfërinë, i çon te prova për të shkelur ligjin duke mbjellë disa rrënjë kanabis. Nuk i quaj kolumbian e trafikant siç bën opozita, por sigurisht i them se kjo nuk është mënyra për të luftuar varfërinë. I kuptoj qytetarët në çdo fshat e qytet, që ngasja për të luftuar papunësinë, i çon te puna e paligjshme në këtë biznes të paligjshëm. As këta nuk i quaj kolumbian, as i quaj trafikantë, siç bën opozita. Por sigurisht i them se kjo nuk është mënyra për të luftuar papunësinë”, u shpreh Saimir Tahiri një ditë pas publikimit të raportit të Guardia Di Finaza, të cilin ai vetë “këmbënguli” ta krahasonte me vitin 2013 me anë të një statusi në Facebook, duke anashkaluar me dashje krahasimin me vetë punën e tij, me vitet 2014 e 2015. Të dhënat e Guardia Di Finanza tregojnë se trendi i kultivimit të kanabisit është rritur me një shpejtësi marramendëse, nga 16 hektarë në vitin 2014 në 213 hektarë këtë vit. Pjesë e raportit nuk janë sipërfaqet me kanabis të mbjella dhe të korrura përpara qershorit. Kreu i Policisë së Shtetit, Haki Çako, pranoi se kultivuesit kanë sjellë në Shqipëri një farë “vietnameze” që hyn në prodhim nga 18 ditë në 45 ditë. Kryetari i opozitës, Lulzim Basha e theksoi këtë fakt – se monitorimi i Guardia Di Finanza nuk e përfshin këtë periudhë. Ai tha se Guardia Di Finanza ka kontrolluar vetëm 17 % të territorit të vendit. Një pjesë e mirë e kësaj sipërfaqe është mbjellë në zona malore dhe jo në toka bujqësore. Por hektarë me drogë janë zbuluar edhe në toka të kultivuara më parë me prodhime bujqësore, si përgjatë lumit të Vlorës, në Ishëm apo në Rinas. “Zaptimi” i tokave me drogë është vetëm një provë e orientimit të banorëve të fshatrave drejt kanabisit. Dëshmi tronditëse të njerëzve “të punësuar” në plantacionet e drogës po publikohen në media. Një e tillë u bë publike në gazetën “Shekulli” një ditë më pare. Një qytetar që tregonte se si furgonat mbusheshin në Kamëz me të moshuar, gra e fëmijë e dërgoheshin në parcelat me kanabis për të punuar për 20 apo 30 mijë lekë të vjetra në ditë. Të tilla rrëfime tregojnë se veç tokave, edhe krahu i punës që mund të shfrytëzohej në bujqësi është i zënë me drogën dhe ka braktisur kujdesin për kulturat bujqësore, sepse kërkesa për të punuar për trafikantët kundrejt fitimeve të shpejta është shtuar paralelisht me rritjen e frikshme të sipërfaqeve me drogë.