Shkup, 29 maj – Në javën që e lëmë pas, nën organizim të Shoqërisë Kulturo Artistike “Komorani” u organizua Festivalli Kombëtar Folklorik “Plaku 2017”. Në këtë eveniment morën pjesë SH.K.A “Tingujt e Vendlindjes” nga Stagova e Kaçanikut, AKV “Hajvalia” nga Hajvalia, SH.K.A. “Visaret e Krrabës” nga Tirana, AKV “Zëri i Kosovës” nga Fushë Kosova, SH.K.A. “Duhlia” nga Raqe/Ilirida, QK “Xhavit Haziri” – Obiliç, AKV “Anadrini” – Dejn/Rahovec si dhe Shoqata Kulturo Artistike nga Saraji “Shqiponja”. Kjo e fundit morri pjesë në natën e dytë, duke fituar edhe çmimin më të madh të këtij festivali “Xheladin Gashi”. Ndryshe, shoqatë nga Saraji u prezantua me një program të pasur artistik dhe burimor si dhe me një këngë me sharki nga këngëtari i mirënjohur Selajdin Miftari, derisa i gjithë programi zgjati 15 min. Kujtojmë, SH.K.A “Shqiponja” më 21 maj organizoi festivalin ndërkombëtar dhe me karakter garues “Shkupi Folk Fest 2017”, i cili është i vetëm në vendin tonë.