Tiranë, 14 dhjetor Sipas EUROSTAT-it, Shqipëria është vendi i dytë më i varfër në Evropë, me të ardhura për frymë vetëm sa 30 për qind e mesatares së vendeve të Bashkimit Evropian. Në vitin 2015, nivel më të ulët mirëqenieje sesa ky kishte vetëm Bosnja, ku të ardhurat ishin sa 28 për qind e mesatares së BE-së, ndërsa në të gjitha vendet e tjera standardi i jetesës është më i lartë. Por niveli i ulët i të ardhurave nuk është shqetësimi i vetëm. Kriza ekonomike ka ndaluar përafrimin e mirëqenies së Shqipërisë me Bashkimin EUROPIAN. Sipas EUROSTAT-it, nëse nga viti 2004 deri në 2010-n të ardhurat për frymë në Shqipëri ndaj mesatares së BE-së u rritën me 10 pikë përqindjeje, pas vitit 2010 ato thuajse kanë ngrirë duke u rritur me vetëm 1 për qind. Ndërkohë, në raportin e EUROSTAT-it thuhet se në Maqedoni dhe Serbi të ardhurat janë 36 për qind nga mesatarja në BE, në Mal të Zi 42 për qind, Rumani 57 për qind dhe Kroaci 58 për qind.