Ambasadori amerikan Xhes Bejli ka shprehur shqetësimin se Maqedonia po largohet nga parimet e demokracisë dhe sundimi i ligjit. Duke komentuar ngjarjet e fundit politike në vend, pasi të mërkurën presidenti Ivanov deklaroi se nuk do t’i japë mandatin liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, edhe pse ka grumbulluar numrin e duhur të nënshkrimeve për atë, Bejli në profilin e tij në Tëitter ka shkruar se pajtohet me vlerësimin e eurokomesarit Johanes Han, i cili ka porositur Ivanovin që të shqyrtojë vendimin. “Pajtohem me eurokomesarin Johanes Han. Jam i shqetësuar me faktin që Maqedonia po largohet nga parimet e demokracisë dhe sundimit të ligjit, vlerat themelore të NATO-s”, ka shkruar Bejli në profilin e tij në Twitter. Han të mërkurën në mbrëmje ka porositur që të gjithë liderët politik, duke përfshirë edhe presidentin Ivanov se duhet të respektojnë rezultatin e zgjedhjeve të mbajtura së fundmi. “Në demokraci duhet të pranohet shumica parlamentare, madje edhe ajo nëse nuk ju pëlqen”, ka porositur Han në profilin e tij në Twitter.