“Kam qenë besnik ndaj lojtarëve, u kam besuar më shumë seç duhet. Tani mjaft më. Kur arrin diçka kaq të madhe si titulli kampion në Premier League, ke dëshirë t’u japësh të gjithëve një mundësi, më pas një të dytë, një të tretë e kështu me radhë. Por tani është momenti për të thënë mjaft”, ka deklaruar sot trajneri i Leicester, Claudio Ranieri, i zhgënjyer nga paraqitja në kampionet e skuadrës së tij, që nga parajsa e fitimit një vit më parë e titullit kampion është 1 pikë larg rënies nga kategoria. Viti 2017 ka nisur si mos më keq për “dhelprat”, asnjë gol i shënuar dhe 5 humbje radhazi, rekord në Premier League për një ekip kampion. Leicester humbi edhe dje me Swansea (0-2) dhe tashmë situata është tepër kritike. Zërat për shkarkimin e trajnerit italian janë gjithnjë e më të shumtë edhe pse pak ditë më parë erdhi rikonfirmimi i tij nga drejtuesit e klubit. “Nuk kam asnjë plan të flas me pronarët, por nëse duan jam këtu”, tha më tej Ranieri për mediat britanike. “Është e vështirë të shpjegosh atë që kanë lojtarët në kokë. Kur flas me ta, të gjithë kanë besim se do t’ia dalim mbanë, gati të reagojnë dhe secili jep kontributin e tij për të karikuar shokun. Por më pas kthehemi sërish në pikën e nisjes”, u shpreh trajneri, që ka mbështetjen e Danny Drinkwater, që thotë: “Ai ka mbështetjen tonë. Duhet të dalim së bashku nga kjo krizë dhe do të luftojmë deri në fund. E dimë që tifozët janë të zhgënjyer, por ka ende shpresë”.